Lajme

Prag zgjedhjesh, ambasadorët e SHBA dhe BE i mësyjnë Bashës në zyrë

Zv/Ambasadorja e SHBA Leyla Moses-Ones, ka shkuar paraditen e sotme në zyrën e kreut të PD, Lulzim Basha, ndërsa tani në mesditë liderit të opozitës i ka shkuar në zyrë ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.
Menjëherë pas takimit me zv.ambasadoren, kryedemokrati Basha pati një prononcim të shkurtër me gazetarët, ku theksoi faktin se nuk preferon të komentojë bisedat me përfaqësuesit ndërkombëtarë. Në këtë mënyrë, lideri demokrat nuk ka pranuar të tregojë detaje nga takimi dhe biseda me diplomaten amerikane, Leyla Moses-Ones.
“Takimet që kam me diplomatët e huaj nuk kanë qenë kurrë subjekt i bisedave të mia me përfaqësuesit e shtypit”, tha Basha.
Sa i përket 30 qershorit, ai theksoi se nuk është ditë zgjedhjesh dhe nuk ka zgjedhje pa opozitën.
Këto takime vijnë pesë ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, ku opozita e bashkuar është e bindur të vazhdojë aksionin dhe kauzën e saj për të mos patur zgjedhje të dielën. Këto lëvizje vijnë një ditë pasi u mësua se Ambasadori Philip T. Reeker, asistent sekretar për Euroazinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama.
Nga telefonata e konfirmuar nga Top Channel, mësohet se ambasadori Reeker ka ngulmuar për mos bërjen e asnjë hapi pas në zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Gjatë muajve të fundit kur ndërkohë vazhdonte edhe aksioni opozitar, amerikanët kanë pasur një qëndrim të palëkundur rreth kaosit politik që ka mbizotëruar dhe ka dënuar herë pas here aktet e dhunës.
Ndërkohë përpara protestës së 9-të kombëtare, zv.Shefi i Misionit në Detyrë i Ambasadës Amerikane, Daniel Koski shkoi në zyrat e kryedemokratit Lulzim Basha dhe shefes së LSI Kryemadhi. Mesazhi i përcjellë ishte më radikali në historinë e pluralizmit shqiptar.
“Çdo akt dhune nga sot deri në 1 korrik i bërë apo nxitur nga ju do ta detyrojë Departamentin e Shtetit t’ju klasifikojë si organizata të dhunshme!”, mësohet se ka thënë Koski.
Ndërkohë, presidenti Meta në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp kërkoi prej ndërkombëtarëve që të respektojnë dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve, pasi zgjedhjet nuk mbahen ne SHBA, Itali apo Kinë, dhe për datën e tyre Meta tha se është ai që vendos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë