Nga Gazeta ‘Si’- Në seancën e sotme në Kuvend, e fundit përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, u miratua me 70 vota pro krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit.
Ndonëse salla ishte kryesisht e boshatisur nga opozita, ata deputetë të PD që ishin të pranishëm, kundërshtuan ministren e Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj e cila deklaroi se qëllimi kryesor i bankës do jetë nxitja e zhvillimit ekonomik të vendit.

“Struktura kapitale është projektuar për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë. Shteti do të zotërojë minimalisht 51 për qind të aksioneve duke ruajtur kontrollin publik ndërsa institucionet financiare ndërkombëtare dhe vendase mund të kontribuojnë në kapital. Banka do të sigurojë financime përmes si Banka Evropiane e Zhvillimit apo vendeve anëtare”, tha Ibrahimaj.
Ndërkohë deputeti Demokrat Bujar Leskaj, ish-kreu i KLSH-së, u shpreh kundër mënyrës se si po ngrihej Banka Shqiptare e Zhvillimit si shoqëri aksionere me 51% të aksioneve të shtetit.

Sipas tij kjo paraqet rreziqe ekonomike për të ardhmen dhe do i rëndojë buxhetit të shtetit apo taksapaguesve shqiptare.
“Evidentohen një sërë problemesh për stabilitetin e tregut bankar. Mungesa e mekanizmit për kontrollin e këtij projekti. Projekte të paqëndrueshme ekonomikisht, që nuk sjellin rezultate në këto fusha. Mund të krijojë një borxh të akumuluar që mund të ishte një taksë te shqiptarët për ta paguar. Nga përvoja rezulton se janë oligarkët ata që përfitojnë me bizneset e tjera. Tjetra është krijimi i një krize ekonomike si pasojë e kësaj. Ka dhe rrezik të lartë të klientelizmit”.
Në një linjë me të, ishte edhe deputeti i qarkut Kukës, Isuf Çela. Ai e cilësoi si një aferë me pazare të qeverisjes socialiste.
Çfarë përmban pr.ligji?
Sipas pr.ligjit për krijimin e kësaj banke duhen 100 mln euro kapital nga buxheti i shtetit. Banka e Zhvillimit do të financohet edhe nga letra me vlerë, që do t’i emetojë Posta Shqiptare.
51% e aksioneve të Bankës do të jenë të shtetit dhe pjesa tjetër mund të zotërohet nga institucione financiare të huaja apo vendase, por edhe enitete të tjera. Banka e Zhvillimit nuk do të jetë subjekt tatimi dhe marrëdhënia e saj me Bankën e Shqipërisë, do të rregullohet me një marrëveshje të veçantë.
Banka do të ketë në fokus kryesisht ndërmarrjet mikro, të vogla dhe startup-et. Në fokusin e Bankës do të jetë dhe sektori i eksporteve me qëllim “inkurajimin e prodhimeve dhe shërbimeve që mund të konkurrojnë me sukses në tregjet jashtë vendit.”
Banka do të shërbejë edhe si ndërmjetës financiar për projektet me rëndësi për zhvillimin ekonomik, duke kanalizuar fonde ose linja financimi nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




