Irena Beqiraj
Është e nevojshme një Bankë e mirë Zhvillimi, por vështirë se një të tillë e formon Edi Rama!

Historia e 56 vendeve më të suksesshme pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat përjetuan rritje ekonomike mbi 5.5 % (rritje e cila i duhet Shqipërisë për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm) ka përcaktuar “një rregull të artë”. Ky rregull kërkon që niveli i investimeve (publike dhe private) për vendet në zhvillim duhet të jetë më i lartë se 30% të PBB-së në mënyrë konsekutive për të paktën një dekadë. Nga ky rregull nuk ka bërë përjashtim as Shqipëria.
Nga viti 2001 deri ne vitin 2009 niveli i investimeve në mënyrë konsekutive ka qenë mbi 30% të PBB-së duke siguruar edhe rritje ekonomike të kënaqshme. Ndërkohë pas 2009-s nuk e arritëm kurrë ketë nivel megjithëse qeveritë dhe Banka Qëndrore nuk janë kursyer të përdorin gjithë mjetet e tregut. Ato kanë ulur normat e interesit, kanë ulur taksat, kanë lehtësuar hyrjen e kapitalit të huaj, kanë marrë reforma deregullimi, kanë bërë ligje për investime strategjike, por të gjitha pa dobi. Deri tani ia kanë dalë të nxisin vetëm sektorë jo produktivë dhe vende pune me paga të ulta.
Ndërkohë që rritja e investimeve private edhe diversifikimi i tyre është i vështirë të mbështetet vetëm tek sistemi privat financiar, së pari sepse investitorët privatë ndjekin trendin, duke krijuar valë të mbiinvestimeve në sektorë të cilët duken fitimprurës në afat të shkurtër.

Së dyti siç është e natyrshme tregjet financiare kujdesen vetëm për fitimet. Sot pranohet gjerësisht se ka investime që mund të rrisin produktivitetin e përgjithshëm të një vendi, por që nuk janë interesante për investitorët privatë (bankat, menaxherët e aseteve, edhe sipërmarrësit) të cilët janë të gatshëm ta pranojnë rrezikun vetëm kur ai është afatshkurtër. Thënë ndryshe jo vetëm që ka një boshllëk financimi por nga ana tjetër financimi që mund të sigurohet sot është vetëm prociklik (pra ecën në të njëjtin drejtim me ciklin ekonomik).
Ndërkohë që COVID-19, kriza e shfaqur në zinxhirët e furnizimit global dhe tensionet gjeo-politike në rritje, kanë formësuar tre prirje të dukshme globale i) ribalancimin e marrëdhënieve treg - shtet, në favor të këtij të fundit; ii) ribalancimin midis hiper-globalizimit dhe autonomisë kombëtare, gjithashtu në favor të kësaj të fundit, iii) edhe nevojën për rritje ekonomike gjithëpërfshirëse në vend të rritjes ekonomike në vetvete. Këto tendenca i kanë bërë mjetet klasike të tregut të përdorura deri tani të pamjaftueshme për të siguruar zhvillimin.
Transformimi strukturor sot kërkon investime shumë afatgjata, krijimin e sektorëve të rinj shpesh me risk të lartë. Ndaj krijimi i bankave kombëtare të zhvillimit të cilat: plotësojnë boshllëqet e strukturës private të tregjeve financiare; ofrojnë financim kundër ciklik (pra kur sektorët janë në vështirësi); mund të mbulojnë risqet e investimeve afatgjata si dhe nxisin inovacionin, është parë si nevojshëm nga shumë vende (550 banka zhvillimi operojnë sot në mbarë botën).

Por nevoja nuk parashkruan suksesin, edhe suksesi i bankave të zhvillimit ka qenë gjithmonë i diskutueshëm. Në shumë raste eksperienca ka treguar se bankat kombëtare të zhvillimit në vend që të bëhen promotorë të investimeve private ato kanë mbështetur objektiva të caktuara të elitave politike që nuk kanë qenë në interesin më të mirë të vendit. Ato shpesh kanë përfunduar në institucione joefikase të keqmenaxhuara të cilat veçse kanë shpërdoruar fondet publike. Megjithëse të ngritura për të adresuar boshllëqet e tregut ato kanë përfunduar duke dhënë financime me norma të subvencionuara të cilat kanë shtrembëruar stimujt dhe kanë mundësuar më shumë korrupsionin.
Historia gati 100 vjeçare e bankave të zhvillimit tregon se çelësi i suksesit të tyre varet nga konteksti në të cilin ata veprojnë. Inflacioni i ulët, normat reale të ulta të interesit, një sektor financiar që funksionon mirë dhe kurset konkurruese të këmbimit janë vendimtare për funksionimin efikas të tyre. Por mbi të gjitha ato janë efektive nëse politikë bërja ka një vizion të qartë zhvillimi, sidomos për sektorin e prodhimit edhe nxitjen e inovacionit.

Suksesi i një banke zhvillimi ecën dorë më dorë me hartimin e politikave funksionale që adresojnë rritjen e ofertës në ekonomi. Një politikë funksionale duhet të adresojë; 1) fuqizimin e sektorit ekzistues të prodhimit; 2) nxitjen e eksporteve, 3) rritjen e produktivitetit, e transferimin e teknologjive dhe inovacionit 4) si dhe krijimin e sektorëve prodhues që krijojnë dhe shpërndajnë njohuri. Një politikë funksionale ka një qasje gjithëpërfshirëse ku adresohen sfidat e ndërmarrjeve vendase pavarësisht madhësisë së tyre; ajo mundëson ngritjen e sistemit kombëtar të inovacionin në sektor të caktuar apo nënsektor në të cilat banka është vetëm njëri element i tij. Sistemet përbëhen nga firma, universitete, laboratorë kërkimi publik, agjenci qeveritare dhe institucione financiare.
Deri më sot të gjitha qeveritë “Rama” kanë qenë kampione në hartimit të politikave selektive zhvillimore ku Kryeministri në vetë të parë “zgjedh fituesit”, duke mbështetur firma konkrete, konglomeratë ose projekte investuese të caktuara.
E pra, ne këto kushte banka ka shumë gjasa të jetë një mjet tjetër në dorë të Ramës për të ushqyer qasjen "socializëm për një grusht të pasurish dhe individualizëm të ashpër për të varfërit", pa ofruar një zgjidhje për zhvillimin edhe transformim ekonomik që proklamon.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.