Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka miratuar krijimin e një shoqërie aksionare me pronësi tërësisht shtetërore, e cila do të marrë në administrim shërbimin e sterilizimit në të gjitha spitalet publike të vendit.
Sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit” SHA do të financohet fillimisht me 200 milionë lekë nga buxheti i shtetit për vitin 2026 dhe do të përfitojë pa pagesë asetet që i kalojnë shtetit pas përfundimit të kontratës koncesionare të nënshkruar në vitin 2015.
Shoqëria e re shtetërore do të menaxhojë të gjithë zinxhirin e shërbimeve të sterilizimit, nga furnizimi me instrumente kirurgjikale sterile dhe materiale njëpërdorimëshe, te funksionimi i Stacionit Qendror të Sterilizimit në QSUT, trajtimi i mbetjeve spitalore me rrezik biologjik dhe digjitalizimi i proceseve. Të ardhurat e saj do të sigurohen nga tarifat e shërbimeve dhe burime të tjera të ligjshme.
Sipas vendimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka një afat prej 30 ditësh nga hyrja në fuqi e aktit për miratimin e statutit dhe regjistrimin e shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa injektimi i kapitalit fillestar do të kryhet menjëherë pas regjistrimit.
Kontrata e sterilizimit, e nënshkruar në vitin 2016 me afat dhjetëvjeçar, u shndërrua shpejt në një nga kontratat më problematike për qeverinë. Kostoja e saj rezultoi ndjeshëm më e lartë se parashikimi fillestar, duke arritur rreth 15 miliardë lekë, ndërsa kontrata dhe kushtet e zbatimit të saj janë nën hetim prej vitesh, së bashku me ish-zyrtarë dhe përfaqësues të biznesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



