Nga Gazeta “SI”– Nga data 18 deri më 22 qershor 2025 , qyteti i Shkodrës do të transformohet përsëri në një mikrokozmos të filmit bashkëkohor, videoartit dhe dialogut ndërdisiplinor, teksa Ekrani i Artit kthehet për edicionin e tij të tetë nën temën poetike Kartolina nga Askund.
Tema e këtij viti fton audiencën të përjetojë kinemanë jo vetëm si një dritare në vende dhe përvoja të largëta, por edhe si një akt lidhjeje: një kartolinë që vjen nga peizazhe të panjohura, kujtime personale, trauma kolektive dhe të ardhme spekulative.
Përmes këtij këndvështrimi, filmat dhe veprat vizuale bëhen bartës të intimitetit, rezistencës, humorit, imagjinatës dhe brishtësisë. Ekrani i Artit 2025 do të shfaqë 111 vepra , nga të cilat 40 premiera shqiptare dhe do të presë 30 artistë pjesëmarrës nga e gjithë bota.
Disa prej tyre të artistë të shquar si MASBEDO (Iacopo Bedogni dhe Nicolò Massazza), Elena Dorfman , Anka Gujabidze , Basir Mahmood , Damir Očko , Ari Benjamin Meyers , Giorgio Andreotta Calò , Barbara Prenka dhe Anri Sala . Programet dhe instalacionet do të zhvillohen në gjashtë hapësira të ndryshme në Shkodër: Kinema Republika, kinemaja historike, rihapet si pika qendrore për shfaqje ndërkombëtare dhe takimet e festivalit.

Në të do të shfaqen filma si ARSA nga MASBEDO, në prani të regjisorëve; The Dream & The Lie nga Elena Dorfman, ndjekur nga një diskutim i hapur me regjisoren; dhe Preemptive Listening nga Aura Satz, Temo Re, Anka Gujabidze.
Programi i Filmave të Shkurtër i kuruar nga Tea Paci prezanton filma që variojnë nga ata të regjisorëve legjendarë si Krzysztof Kieślowski, deri te zërat bashkëhorë që duhet t’i dëgjojmë si Daphné Hérétakis. Fillimet është një program shfaqjesh i kuruar nga Edi Muka dhe i ndjekur nga një seancë pyetje-përgjigje me Anri Salan, Gentian Shkurtin, Silva Agostinin. Galeria e Artit e Shkodrës do të shërbejë si shtëpia e REWIND – Glimpses of Video Art in Albania , një ekspozitë e cila gjurmon video artin shqiptar nga vitet 1990 deri më sot, e kuruar nga Edi Muka.
Art House pret Covers, një ekspozitë personale e Barbara Prenkës (kuruar nga Zef Paci), si dhe disa shfaqje të videoartit shqiptar, siç janë Shfaqjet e përditshme Në Përsëritje Vrragë, Rrëfenja dhe Ndodhi. Punimet e nxënësve të shkollave “Ismail Qemali” dhe “Ndre Mjeda” do të shfaqen në ekspozitën Si lindi emri nga korniza prej guri, në dialog me artisten Bora Baboçi, dhe të koordinuar nga Melisa Paci.
Riformësimi i modeleve është një tjetër bisedë që nuk duhet humbur, me Barbara Prenkën dhe Zef Pacin Rruga Gijuhadol kthehet në një hapësirë për projeksione dhe takime publike, ku çdo ditë mund të shihni Shfaqjen Në Përsëritje Si doni t’i quani?, të kuruar nga MASBEDO. Auditoriumi Françeskan : prezanton katër programe bashkëpunuese ndërkombëtare dhe një prezantim me artistë në oborr. Mund të Shihni shfaqjen Në Përsëritje të Sine Screen – Riar Rizaldi: Ghosts, Monsters and Cinematic Elsewheres; Ars Electronica – Programi i Ri i Artit të Animacionit; Protocinema – I’m Glad You Exist kuruar nga Mari Spirito , dhe Fondazione In Between Art Film – Nebula. Kjo hapësirë do të presë gjithashtu Poetikën e Prezencës: bisedë artistike me Valentina Furian, Giorgio Andreotta Calò, Basir Mahmood, Ari Benjamin Meyers.

Bar Tore dhe MINIMARKET është një zonë e re, eksperimentale sociale që lidh artin, komunitetin dhe jetën e natës. Këtu mund të ndiqni regjisoren e filmit “Echoes of the Archive”, Elena Dorfman, në një bisedë me Iris Elezi ( drejtoreshë e Kinematekës Shqiptare) dhe Thomas Logoreci (kurator/programues i Kinematekës Shqiptare ). Edicioni i këtij viti riafirmon misionin e Ekranit të Artit për të qenë një platformë jo-konkurruese, duke i ofruar audiencës një përvojë që i reziston spektaklit në favor të reflektimit, nuancave dhe ndërlidhjes njerëzore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.