Gazeta Si – Me shumë vështirësi Portugalia arriti të fitojë ndaj Ganës në ndeshjen e parë në grup. Portugezët mposhtën 3-2 afrikanët dhe kanë marrë kryesimin e Grupit H. Kristiano Ronaldo vendosi rekord me golin e shënuar sot, duke u bërë lojtari i parë që shënon në 5 Botërorë. Dy golat e tjerë mbajnë firmën e Zhoao Feliks dhe Leao.

Rezultati u zhbllokua në pjesën e dytë me penallti nga Kristiano Ronaldo, por festa portugeze zgjati vetëm pak minuta, sepse Gana barazoi me Andre Ajeu. Kur kishte mbetur më pak se çerek ore nga koha e rregullt, trajneri Santos hodhi në fushë yllin e Milanit, Rafael Leao.
Dy gabime në mesfushë nga ana e ganezëve i hapën rrugën fitores së luzitanëve. Portugalia kaloi sërish në avantazh me Zhoao Feliks, ndërsa Leao, vetëm 3 minuta pasi hyri në fushë, trefishoi shifrat. Në të dy rastet ishte Bruno Fernandes ai që shërbeu për sulmuesit portugezë.
Gana nuk u dorëzua dhe u mundua të bënte gjithçka në minutat e mbetura. Osman Bukari shkurtoi diferencën në 3-2 1 minutë para se të mbyllej koha e rregullt, por kjo nuk mjaftoi për t’i dhënë Ganës një pikë.
Në fund të ndeshjes ndodhi edhe një episod i rrallë. Portieri portugez harroi që kishte sulmuesin Injaki Uilliams pas shpine dhe lëshoi topin nga duart në zonë. Uilliams ia rrëmbeu, por u bllokua nga mbrojtësit e Portugalisë, që shpëtuan portën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



