Libra

‘Portokall me kurdisje’ si një sprovë e guximshme e përkthimit në shqip  

Nga Gazeta “SI”– Botuar më 1962, romani “Portokall me kurdisje”  i Anthony Burgess mbetet dhe sot një vepër letrare e fuqishme për temën që eksploron, dhuna dhe  kufijtë e lirisë njerëzore përballë një shteti represiv.

Përmes historisë së Aleksit, një djalë adoleshent i dhunshëm që i nënshtrohet një trajtimi brutal psikologjik për të “korrigjuar” sjelljen e tij, Burgess ngre pyetje thelbësore mbi etikën, vullnetin e lirë dhe rolin e shtetit në ndërtimin ose shkatërrimin e individit. E shkruar me një zhargon të shpikur që përzien anglishten me fjalë ruse, vepra mbetet një nga romanet më të guximshme e më origjinale të shekullit XX.

Edhe pse kjo vepër u botua në vitin 1962, njohjen e madhe e fitoi pasi u ekranizua nga rregjisori Stanley Kubrick në vitin 1971.

Por përkthimi i kësaj vepre në gjuhë të ndryshme të botës, mbetet ende një sfidë e madhe, duke pasë parasysh slangun nadsad që Burgess ua mvesh në të folurën e zhargonit të personazheve. Këtu qëndron edhe vështirësia por edhe forca e kësaj vepre e cila nga origjinali në gjuhë të ndryshme, kërkon shumë punë por sigurisht dhe një përkthyes të guximshëm.

I botuar në shqip në vitin 2024 nga Shtëpia botuese “Onufri” me përkthim të Durim Taçit , romani “Portokall me kurdisje” është pritur si një ngjarje letrare, për shumë arsye ku një ndër to është shkalla e lartë e vështirësisë së përkthimit.

“A Clockwork Orange” 1971

Por duket se shqipja, për shumë arsye e ka potencialin e përshtatjes së nadsad-it në mënyrë të përkyer, kjo falë edhe përkthyesit të romanit “Portokall me kurdisje”, Durim Taçi, shkrimtar fitues i disa çmimeve por edhe përkthyes i sprovuar tashmë me mbi 60 tituj.

Për Gazetasi.al, Taçi rrëfën procesin e përkthimit të një vepre kaq komplekse e po ashtu shpjegon se pse “Portokall me kurdisje” është një ngjarje letrare kudo në botë.

“Në fakt ‘Portokall me kurdisje’ është ngjarje letrare, e perceptuar si e tillë. Ka pasur interesim të menjëhershëm nga lexuesit, është diskutuar në klube leximi, janë shkruar artikujt e parë mbi këtë version të përkthyer në shqip, sikurse kanë nisur ftesat për ta prezantuar librin në mjedise të ndryshme. Ai i radhës është nga Universiteti i Prishtinës, pasi romani duke qenë i ekranizuar suksesshëm nga Stanley Kubrick, ofron mundësi diskutimi të raportit midis kinemasë dhe letërsisë, si arte.”

Ai thotë se ishte i vetëdijshëm për shkallën e vështirësisë së përkthimit të kësaj vepre.

“Sigurisht isha i vetëdijshëm për vështirësinë e këtij përkthimi, pasi kisha lexuar me kohë librin në origjinal dhe më pas versionin e përkthyer në italisht. Vështirësinë e përkthimit të këtij libri do ta përmblidhja në këtë frazë: kjo është një vepër që të kërkon të përkthesh ambiguitetin me ambiguitet, pra paqartësinë me paqartësi”

Taçi shpjegon se slangu nadsad i përdorur si gjuhë e personazheve nuk kërkon transformim apo përshtatje por përcjellje në gjuhë të tjera, ashtu si dhe autori e ka perceptuar. Sipas tij shqipja i ka të gjitha parametrat për të përkthyer edhe vepra të vështira si kjo e Burgess.

Durim Taçi

Trajtimi i slangut nuk është çështje lirie e përkthyesit. Autori e ka krijuar fjalorin nadsad, pra të adoleshencës, jo për ta humbur gjatë përkthimeve në gjuhë të tjera, por për ta përcjellë. Shqipja është gjuhë sintetike, pra që operon kryesisht me mbaresa e prapashtesa, ka sistem eptimi e mjete të pasura fjalëformimi. Kjo pasuri mekanizmash gramatikorë e bën atë të aftë ta bëjë të vetën fjalën e huaj,  duke i veshur rrobën e saj. Nadsadi është ruajtur tërësisht në shqip përmes respektimit të rrënjëve të fjalëve të huaja, kryesisht në rusisht, por duke ia nënshtruar përshtatjes në shqip”

Dhe duke qëndruar tek gjuhët dhe vështirësia e përcjelljes së veprës në gjuhë të tjera, Taçi thotë se përkthimi në shqip është një përkthim shumë i mirë, ndryshe nga ai italian i cili duke tentuar të dalë nga korniza e origjinalit e ka “shfytyruar” atë.

“Po, versioni në italisht nuk më ka ardhur siç e prisja, por e kuptova arsyen. Ai është një përkthim për një lexues italian, ndaj u takon atyre ta vlerësojnë më në detaje. Mund të them vetëm se trajtimi i nadsadit aty ka qenë më i çlirë, jo aq besnik ndaj origjinalit, duke u përpjekur për të gjetur fjalë referente të inventarit të italishtes, më shumë se të synohej ruajtja e plotë e rrënjëve të fjalëve në origjinal. Por siç e thashë më lart, këtu të jep dorë shqipja, e cila arrin ta bëjë të vetën fjalën e huaj pa qenë nevoja ta shfytyrojë atë”

 Në këtë  roman i cili  në qendër ka dhunën, Durim Taçi thekson se sipas tij, mund të cilësohet si një roman distopik por jo në kuptimin që i mvishet sot romaneve të zhanrit të tillë. Sipas tij distopia duhet të jetë një artific në shërbim të subjektit dhe jo e kundërta.

“Kam përshtypjen se në këtë roman dhuna nuk iniciohet nga pushteti, por shfaqet si natyrë e brendshme e individit. Shteti pastaj ka mekanizma për ta luftuar, apo për ta çuar në shkallën e saj më të lartë, në luftën, duke manipuluar individin, në vend që ta edukojë atë.

Sigurisht, ky është një roman distopik, por ky term nuk është se më ngazëllen shumë.  Distopia nuk është patjetër vlerë, por një mjet, një artific, që nuk mund të marrë vendin primar kur flitet për letërsinë, është thjesht një konvencion i radhës i krijuar me fjalët. E shkruara, mbretëria e së mundshmes, ku distopia ndodh që edhe ndihmon, është mbi të gjitha,  proces ku  ti mund  t’i besosh fjalën hapësirës dhe “Portokalli me kurdisje” është një shembull ku kjo perceptohet më qartë”

Shkrimtari dhe përkthyesi Durim Taçi e mbyll intervistën për GazetaSi.al duke u shprehur se padyshim , romani “Portokall me kurdisje” është vepra më e vështirë që ai ka përkthyer në shqip.

“Sigurisht, përkthimi i “Portokallit me kurdisje” është një palestër sprove e vështirë dhe mund ta them, që për shumë arsye është libri më i ndërlikuar që kam përkthyer ndër rreth gjashtëdhjetë titujt e mi të deritanishëm. Megjithatë, siç e ceka më lart, çelësi është ‘nadsadi’ dhe kur ia del ta integrosh atë me tekstin në tërësi, është gjetur regjistri dhe përkthimi do të funksionojë. Ajo që mund të them është, që në çdo përkthim, ekuivalenti si rezultat final duhet të përçojë jo vetëm mesazhin, por edhe formën dhe rasti i këtij teksti  e vërteton plotësisht” përfundon Taçi

Dhe duket se tashmë, një shkollë përkthyesish në kuptimin e traditës po krijohet në Shqipëri. Pas asaj të përkthyeseve të periudhës së diktaturës komuniste, u krijua ideja se me lirinë e fjalës , edhe përkthimi do të ishte një zeje që do ti përkiste kujtdo.

Por rrethanat dëshmojnë të kundërtën. Sot përkthyesit në shqip, janë po aq seriozë në përkushtim e po ashtu të kultivuar kulturalisht saqë ia dalin të sjellin në shqip, vepra të rralla dhe të një shkalle vështirësie të lartë. “Portokall me kurdisje” e vërteton këtë fakt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë