Arsim

Portofol digjital dhe mentor në shkolla, Rama: Veç pagës, vlerësime sipas meritës (paralajmëron rrezikun e mungesës së mësuesve në të ardhmen)

Nga Gazeta Si- Mësuesit do të pajisen secili me një portofol dixhital ku do të regjistrohen kreditet, trajnimet dhe performanca e tyre.

Gjatë prezantimit të Programit Kombëtar te Zhvillimit Profesional të Mësuesve, ministrja e arsimit Ogerta Manastirliu tha se ka filluar të strukturohet portofoli dixhital ku do të regjistrohen kontributet, performanca, trajnimet apo kualifikimet e mësuesve. Përpos portofolit dixhital, në shkolla do ndahen edhe “role”.

Në shkolla do të ketë mësues mentor, i cili do t’i dedikohet vetëm profesionalizmit të mësuesve dhe fuqizimit të tyre.

“Synojmë të formohet rrjeti i mentorëve dhe lidershipit të shkollës”, tha ministrja Manastirliu.

Ndërkohë, Edi Rama e quajti programin si një moment historik dhe “jo një program si gjithë të tjerët”, duke u ndalur edhe tek rritja e pagës për mësuesit.

Rama tha se për pak muaj paga mesatare e mësuesve do të shkojë në 950 euro, me rritjen që është përcaktuar, por sipas tij kjo është e pamjaftueshme.

Kreu i qeverisë tha se po shikohet mundësia që mos të kemi më një sistem pagash të unifikuar për mësuesit, por se ata do paguhen sipas meritave dhe performancave në mësimdhënie. Ndaj dhe për këtë ka nisur dhe krijimi i një portofolit dixhital që do ketë të dhëna për çdo mësues, kualifikimet e tyre, trajnimet, performanca në mësimdhënie.

“Nuk mjafton vetëm rritja e pagave. Prandaj na duhet të reformojmë sistemin. Duhet të bëjmë të mundur që përveç pagës uniforme, të ketë edhe nivele të ndryshme pagash sipas meritës, kontributit dhe kualifikimeve. Për këtë na duhet sistem i besueshëm kualifikimesh, trajnimesh, kreditesh”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për nevojën për të frenuar largimin e kapitalit njerëzor në arsim.

“Ne do bëjmë gjithçka të mundemi që në këtë fazë të rrisim mbështetjen e gjithëanshme për shkollën dhe mësuesit. Është një kohë ku ka filluar një luftë pa armë por shumë e egër për kapitalin njerëzor dhe vendet më të zhvilluara të cilat sot për përballen me fenomenin e pandalshëm të plakjes, janë investuar për të marrë kapital njerëzor nga të tjerët ku të munden e sa të munden” tha Rama, duke shtuar se fuqia tërheqëse e tyre për kapitalin e vendeve si yni mbetet sfiduese për të gjithë ne.

“Oferta e tyre është shumë më e fortë se oferta jonë. Por ne nuk mundet dot që të mos reagojmë për të mbrojtur kapitalin tonë njerëzor dhe të fuqizojmë sa të mundemi cilësinë e kapitalit tonë njerëzor. Në një kohë shumë të largët mund të gjendemi përballë një situate të pamundur”.

I pranishëm ishte edhe Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato i cili tha se arsimi është një nga fushat që duhet të përmirësojë vendi ynë për t’u bërë pjesë e BE. Ai vuri theksin se mësuesit duhet të jenë të mirëtrajnuar, si edhe duhet të përmirësohen kurrikulat.

"Arsimi është nga shtyllat e shndërrimit që do duhet të përmirësojë Shqipëria për tu bërë pjesë e BE. Mësuesit që janë të mirëtrajnuar, mbështetur dhe vlerësuar janë thelbësorë. Kjo përpjekje për të trajnuar mësuesit duhet të shkojë bashkë në formë paralele edhe me sfida të tjera, përmirësimi i kurrikualve, trajnimet profesionale, apo investimet për aftësi dixhitale, si edhe për të ecur më tej për kërkimin shkencor”, tha Gonzato.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë