Menaxhim

Portali i Fermerit si ‘Porta e Purgatorit’

Nga Megi Iskurti – “A do të funksionojë siç duhet Portali i Fermerit?”- është pyetja që është ngritur prej do ditësh, që kur u bë lancimi i tij në një konferencë nga ministrja e bujqësisë dhe kryeministri, e që i ka ndarë në dy kahe zërat e fermerëve dhe ekspertëve të bujqësisë.

Disa prej tyre shprehen se duhen përmirësuar ende shumë gjëra në mënyrë që ai t’u vlejë fermerëve. Të tjerë, ndonëse në parim bien dakord që çdo dritare informimi është e nevojshme, thonë që Portali nuk është ajo çka i duhet bujqësisë shqiptare tani.

Aplikacioni, i cili përmban informacione mbi tregjet, çmimet, analizat ushqimore, skemat aktive të mbështetjes, instrumentet e financimit dhe kujdesin veterinar, sipas Ervin Resulit, ekspert bujqësie, “është një e njëmilionta krahasuar me çfarë ka nevojë bujqësia.”

Portali, sipas Resulit, “është një e njëmilionta krahasuar me ç’ka nevojë bujqësia.”

Ai thotë për Gazetasi.al se ndonëse çdo informacion ka vlerë, në morinë e shqetësimeve që ka bujqësia shqiptare tani, ku ndërmend humbjen e madhe të krerëve, mungesën e krahut të punës, problemeve me parcelizimin dhe vaditjen, ky aplikacion është shumë larg nevojave të fermerëve.

“Një minus mosqasja e fermerëve në internet”

Sipas tij, disavantazhi kryesor i aplikacionit është fakti që shumë fermerë nuk kanë akses në internet.

“Çështja është që shumë nga fermerët, sipas të dhënave që kemi, nuk kanë qasje në internet dhe njohje mbi aplikacionet. I kanë marrë gjetkë informacionet mbi tregjet, çmimet, sepse në këtë mënyrë janë mësuar të operojnë prej vitesh”, thotë ai për Gazetasi.al.

Lidhur me këtë, Ilir Pilku thekson se ndonëse aplikacioni lidh fermerët me grumbulluesit, që ai të funksionojë në mënyrën e duhur, kërkohen trajnime për fermerët.

“Ne kemi rreth 86 mijë fermerë të pajisur me nipt dhe të gjithë duhet të trajnohen ose në grupe ose t’u dërgohet individualisht në Whatsapp mënyra e aftësimit të tyre. Qeveria duhet të kontraktojë kompanitë telefonike që manuali t’u dërgohet automatikisht në celularin e tyre”, thotë më tej Pilku për Gazetasi.al.

Pilku thotë se aplikacioni është unik por fermerët duhet të trajnohen për ta përdorur

“Hije dyshimi” mbi çmimet

Por, sipas vetë fermerëve, jo gjithmonë në Portal është çmimi real i produktit.

Halim Bana, njëri prej tyre thotë për Gazetasi.al se i lind dyshimi se me çfarë baze përcaktohen çmimet ditore të produkteve dhe kush i vendos këto çmime.

“Fermerët gjithmonë janë ankuar për abuzimet në bujqësi, nga njëra hallkë e saj tek tjetra.

Në aplikacion ka çmime për çdo produkt por nuk më duket se ka shumë transparencë se kush i vendos këto çmime pasi ai që i vendos duhet të marrë për bazë edhe kostot që ka fermeri në mënyrë që pastaj të arrihet një akord mes tij dhe grumbulluesit.

Duhet disa rregulla ligjore që çmimet e shumicës të vendosen siç duhen edhe në kohën e duhur”, thotë ai disi me shqetësim për Gazetasi.al.

Ilir Pilku, vëren se çmimet duhet të merren nga dy nivele.

“Janë çmimet në nivel ferme dhe çmimet në nivel tregtie me shumicë. Ose nga pikat e eksportit dhe të shumicës, afërsisht 10-12 të tilla që kemi. Nëse merren çdo ditë të përditësuara është një vlerë e shtuar për fermerët”, thotë ai për Gazetasi.al duke e konsideruar këtë një lloj burse lokale dhe një aplikacion unik.

Rëndësinë e përditësimit e ka theksuar edhe Kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, i cili thotë se “është e rëndësishme që të hidhen në kohë pasi nëse e le çmimin 10 lekë sot dhe çmimi ka shkuar 15 në krahun tjetër atëherë aplikacioni të merr në qafë, prandaj kërkon shumë transparancë dhe mirëmbajtje.”

Megjithatë ata theksojnë që kjo platformë do u japë ekspertëve një panoramë më të gjerë lidhur me situatën në terren dhe është tregues që ministria po i kthen sytë nga bujqësia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë