Katar 2022

Polonia ‘shfryn’ Arabinë Saudite, Levandovski thyen mallkimin e Botërorit

Gazeta Si – Përveç kapitenit Robert Levandovski, me një gol dhe nëj asist, vendimtarë për fitoren e Polonisë ishin Zielinski dhe portieri Shezni. Lojtari i Napolit zhbllokoi rezultatin, kurse portieri i Juventusit priti një penallti. Polakët kalojnë arabët në renditje dhe shtojnë shanset e kualifikimit.

Polonia mundi sot 2-0 Arabinë Saudite, duke ‘shfryrë’ kështu kombëtaren aziatike, pas fitores befasuese të saj ndaj Argjentinës. Skuadra e Renard nuk ia doli të përsëriste suksesin e pak ditëve më parë në Katar dhe mbetet në kuotën e 3 pikëve.

Arabia Saudite u shfaq rrezikshëm në fillim, kur gjuajtja e Kano u ndal nga Shazni. Polonia rrezikoi me Bielik, gjuajtja me kokë e të cilit u devijua nga një mbrojtës. Ndeshja u zhbllokua papritur në minutën e 39-të, Levandovski kaloi portierin dhe nga një pozicion diagonal pasoi në qendër, ku Zielinski gjuajti fort në portën bosh dhe 1-0.

Pas vetëm 4 minutash Arabia Saudite ka rastin të barazojë. Arbitri, pas një kontrolli në VAR, akordon penallti për një kontakt të Kivior ndaj Al Shehri. Shezni kryen një pritje të dyfishtë në dy sekonda, fillimisht ndaj Al Dausari dhe më pas ndaj Al Breik.

Në pjesën e dytë Shezni është sërish vendimtar ndaj Al Dausari, pas një rrëmuje në zonë. Arabia luan më mirë se në pjesën e parë, kurse Polonia mbrohet dhe tenton me kundërsulme. Milik dhe Levandovski godasin traversën dhe shtyllën në 3 minuta.

Arabia i afrohet barazimit me një të majtë të Al Malki. Më pas vjen një gafë në mbrojtje i arabëve dhe Levandovski nuk fal në zonë. Al Malki gabon në kontrollin e topit dhe sulmuesi polak shënon golin e tij të parë në një Botëror. Mjaft i emocionuar Levandovski, kurse Polonia e tij tregohet cinike dhe mer fitoren e parë në grup.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë