Treg

Politikat e taksave rritën çmimet e shtëpive në Tiranë

Aneta prej më shumë se një muaji është duke kërkuar një shtëpi 2+1 me sipërfaqje të vogël brenda vijës së verdhë në Tiranë.

Prej shumë vitesh ajo jeton me qira. Ajo punon në institucion publik dhe pasdite bën punë private. Ka kursyer ndër vite rreth 2,5 mln lekë të reja.

Por ende nuk arrin të përballojë një shtëpi në zonat e saj të preferuara në kryeqytet.

“Çmimet e shtëpive janë tmerrësisht të larta. Kam kontaktuar miq e të afërm. Kam dalë vetë më këmbë nëpër zonat e piketuara. Kam kontaktuar me agjenci dhe kriteret që unë kam për shtëpi janë shumë larg mundësive sepse çmimet janë në stratosferë. Unë nuk e di kush blen shtëpi sot në Tiranë. Pa 100 e ca mijë euro nuk gjen dot shtëpi brenda vijës së verdhë. Banka nuk më financon më shumë se 80% të shumës”-shprehet Aneta.

Nga një vëzhgim që i bëri tregut në Tiranë gazeta “Si”, vërejti që komplekset e banimit që sapo kanë nisur të ndërtohen, rezervemi i apartamenteve me 30% të shumës që në gropë dhe mandej financimi përmes kredisë nis nga 850 euro metri katror. Bëhet fjalë për te Fusha e Aviacionit, Unaza e Re, Bulevradi i Ri.

Zona si ish-Ekspozita, Komuna e Parisit, Komplaksi "Kika 2" variojnë nga 1200, 1500 euro e më lart metri katror.

Në agjencitë imobiliare të afishuara në internet vëren njoftime të llojit “okazion: vetëm 1300 euro metri katror në zonën më të frekuentuar të Tiranës!”.

Në fakt çmimet e shitjes së apratmenteve në Tiranë kanë nisur që në vitin 2015-të dhe janë rritur më shumë se 30%.

Këtë e pohon edhe Dritan Ballgjini i "Century 21 Metropol".

Sipas tij, pas vitit 2015 sektori i ndërtimit në Shqipëri dhe sidomos në Tiranë e cila mban peshën kryesore ka pësuar një rritje galopante.

Në zona të caktuara periferike çmimet janë rritur me 30%. Përshembull në zonën e Freskut dhe Astirit para vitit 2015 mund të gjeje apartamente me 350, 450 dhe 500 euro metri katror. Tani nuk gjen më.  Po ashtu në zonat elitare dhe të qendrës së Tiranës çmimet janë rritur  shumë më shumë.

Njëtrajtësisht me ndërtimin vit pas viti po vihet re një rritje e ҫmimeve te ndërtimeve pothuajse në të gjithë teritorin e bashkisë, si për Njësitë, Apartamentet dhe Vilat.

“E parë në këndvështrime të ndryshme pas vitit 2015, Bashkia Tiranë hartoi dhe miratoi  Planin  e Përgjithshëm Urbanistik të saj.

Kalimi në një stad tjetër të tij, në një përpjestim të zhdrejtë të intesitetit me koefiҫentin e shfrytëzimit, bëri qartas ndarjen të sipërfaqeve ekzakte që ndërtohen me lartesisinë e kateve mbi tokë.

Nga viti 2010 deri në fillimin e vitit 2016, ne Tiranë ishin të pakta  lejet e ndërtimit , e cila solli rritje të kërkesës për apartamente te reja.

Me ndryshimin e Planit Urbanistik të qytetit u rritën në mënyrë te menjëhershme taksat dhe detyrimet që lindin nga marrja e lejes së ndërtimit.

"U kalua nga 4% te totalit të investimit, ne 8%  të tarifës së referencës së zonave Kadastrale te Tiranës ku do të zhvillohej leja”, shpjegon Ballgjini.

Po ashtu, vijon ai, Qeveria Shqiptare miratoi një ligj te veҫantë i cili për ҫdo ndërtim të ri planifikonte 3% të  tij  si fond social në administrimin e bashkisë.

Po ti shtosh këtyre  shifrave dhe disa taksa të fshehura, si proҫesin e gërmimit, nxjerrjes së inerteve dhe depozitimin në landfille të miratuara, apo dhe taksën e ndikimit në infrastukturë të cilat me përafërsi janë 4%.

“Përveҫ problematikës të trojeve të ndërtimit përsa i përket dokumentacionit ligjor i cili në të shumtën e rasteve është evaziv, zgjidhja e tyre ju la ndërtuesve, pronarët e tyre rriten përqindjet sipas zonave, të cilat, për zona të ndryshme arrijnë deri në 50%. Në të shumtën e rasteve ndërtuesit harxhojnë shuma të konsiderueshme për qiratë e pronarëve të trojeve, deri në mbarimin e projekteve. Po ashtu legjislacioni i miratuar përsa i përket kateve nëntokë, që në shumicën e rasteve është minimalisht dy kate, ka shtuar koston e përgjithshme të ndërtimit.”- vazhdon shpjegimin eksperti i pasurive të paluajtshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë