Politika uroi sipas këndvështrimit të saj të gjithë besimtarët e krishterë që këtë të diel festojnë ringjalljen e Krishtit.
Presidenti Ilir Meta thotë se për këtë ditë shprese kanë nevojë shqiptarët.
“Që shqiponjat të kthehen dhe të qëndrojnë në folenë e tyre, ku të jetojnë të qetë dhe të ndërtojnë të ardhmen e sigurt, siç na porositi Papa Françesku gjatë vizitës së Tij historike në Tiranë. Drita, që lind sot jam i bindur se do të ndezë edhe më shumë shpresën dhe kurajën në zemrën dhe mendjen e çdo shqiptari, për të mposhtur me besim në Zot të keqen, kudo ndodhet dhe në çdo formë që shfaqet”, shkruan ai.
Meta e mbyll urimin me bindjen e besimin se ditë më të mirë janë përpara për popullin shqiptar.
Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër uroi shkurtimisht nga Fieri, ku përmes një fotoje me vezët e ngjyrosura të kësaj feste u thotë qytetarëve “Gëzuar”.
Basha e cilëson si ditë reflektimi për të gjetur forcën e kapërcyer vështirësitë. Edhe ai ndan bindjen e besimin e Presidentit Meta se ditë më të mira po vijnë.
“Sot, kur si asnjëherë më parë jemi në udhëkryq, të gjithë së bashku le të gjejmë forcën për të kapërcyer çdo vështirësi me zemrat e mbushura me besim se aspiratat tona do të bëhen realitet. Prandaj ju motra e vëllezër që po kaloni vështirësi shëndetësore, nëna dhe baballarë që sot jeni në pamundësi ekonomike, të rinj e të reja që mendoni emigrimin, mbushini zemrat tuaja me shpresë se ditë më të mira po vijnë”, shkruan Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




