Masat kufizuese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit e detyruan politikën që edhe Pashkët për besimtarët ortodoksë t’i uronte nga distanca.
“Me një dhuratë të bukur nga Opera Kombëtare e Parisit për të gjithë ju dhe me një urim për besimtarët ortodoksë në këtë të dielë paqeje dhe reflektimi”, shënon ai një video-mesazh të përhapur përmes Facebook.
Urimin e tij, Presidenti Ilir Meta e kishte përcjellë përmes të njëjtave kanale komunikimi mbrëmjen e së shtunës.
“Sivjet, një armik i padukshëm, që po kushtëzon mendimet dhe sjelljet tona të përditshme, na detyron mos ta kremtojmë siç do donim këtë Festë të Madhe e të Shenjtë. As Dritën e Ngjalljes nuk do mundemi dot ta marrim sot në Kishë dhe ta kalojmë nga dora në dorë, për ta çuar në shtëpitë tona. Por Krishti i Ngjallur na mëson: MOS KINI FRIKË! Nxënësit e Tij të vërtetë, duhet të bëhen “dritë e botës”. Kështu le të shndrisë drita juaj përpara njerëzve, që të shikojnë veprat tuaja të mira dhe të lavdërojnë Atin tuaj në qiej”, shkruan ai.
Basha uroi përmes vizatimeve të vajzave të tij.
“Me urimin tradicional “Krishti u ngjall” dhe me këtë foto të lepurushëve të Pashkëve përgatitur nga vajzat e mia, ju urojmë familiarisht të gjithë besimtarëve ortodoksë, nga mot Gëzuar! Sot, urimet dhe lutjet tona të para, janë për të gjithë anëtarët e familjes tonë të madhe që përballen me virusin dhe pasojat e tij, për mjekët dhe infermierët tanë kurajozë e të palodhshëm, për të gjithë ata që shërbejnë me sakrifica të mëdha për të na mbrojtur dhe ndihmuar, për të gjithë shqiptarët në nevojë dhe shtrëngesë, për shërbëtorët e Zotit që me lutjet e tyre sjellin paqe e shpresë në shpirtin e çdokujt”, thotë kreu i PD.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi thotë se masat e distancimit fizik prej pandemisë nuk duhet të na ndajnë shpirtërisht nga njëri-tjetri dhe nga zakonet tona të mira.
“Përmes tyre, ne si komb kemi përballuar ndër shekuj vështirësi pas vështirësie, dhe sot është koha që ashtu siç kemi gjetur mënyra të reja për të kremtuar festat tona fetare, ashtu të hapim rrugën për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët. Me besimin në Zot, me dashurinë për njëri-tjetrin, me vlerat dhe traditat tona kombëtare”, uron kryetarja e LSI-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.