Rend dhe Ligj

Policia Rrugore: 56 drejtues mjetesh të arrestuar dhe 161 leje të pezulluara në një javë

Policia Rrugore në kuadër të intensifikimit të masave në akset rrugore nacionale, zonat bregdetare, turistike dhe në zonat e mëdha urbane nisur nga fluksi i lartë i automjeteve, gjatë javës që kaloi ka pezulluar 161 leje drejtimi, ka arrestuar 56 shtetas, si dhe ka vendosur 22 260 masa administrative.

Për monitorimin në të gjitha akset rrugore, 24/7, Policia ka përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, poliskanë, radarë automatikë, dronë të cilësisë së lartë, dragera dhe telescope.

Sipas njoftimit të Policisë, konkretisht janë pezulluar 161 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt dhe janë arrestuar 56 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë vendosur 22 260 masa administrative, nga këto: 6212 për shpejtësi tej normave të lejuara; 1123 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit; 1125 për mospërdorim të rripit të sigurimit; 2100 për parakalime të gabuara;
178 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 108 për manovra të rrezikshme në rrugë;
213 për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit; 9229 për parkim të gabuar; 1972 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Gjatë javës që kaloi, është goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 1 rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljen e konstatuar.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, për qëndrim në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes së automjeteve në raste fluksi, për përdorim të rrugëve alternative, që t’iu japin përparësi këmbësorëve dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit.

Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë