Rend dhe Ligj

Policia ‘rrethon’ Elbasanin, aksion për kapjen e Suel Çelës. Kontrolle në disa ambiente, shoqërohet babai dhe vëllai

Gazeta Si - Forca të shumta të policisë të asistuara nga agjentët e BKH-së kanë kryer një aksion mëngjesin e kësaj të marte, për kapjen e personit në kërkim për porosi vrasjeje, Suel Çela.

Kontrollet janë kryer në tregun agroushqimor dhe në shtëpinë e këtij të fundit, ndërsa mësohet se janë shoqëruar babai dhe vëllai i tij.

Policia është e rezervuar në dhënien e informacionit.

Suel Çela kërkohet prej disa vitesh si person i dyshuar i përfshirë në ngjarje kriminale.

Suel Çela i njohur edhe si Marjus Lulaj i është drejtuar me kërkesë gjykatës së Posaçme ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg me një masë më të lehtë sigurie.

Prej majit të vitit të kaluar, Çela u shpall në kërkim pas dëshmisë së dëshmitarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Sipas SPAK, Çela ka porositur vrasjen e biznesmenit Lulzim Masha pranë liqenit artificial. Gjithashtu, SPAK dyshon se ai ka porositur edhe vrasjen e Elton Kilës.

Atentati ndaj administratorit Lulzim Masha ndodhi më 18 janar 2022. Fatmirësisht, Masha shpëtoi pa u kapur nga plumbat.

Ndërkaq paralelisht, kontrolle në qytet po zhvillohen edhe në disa banesa të për Talo Çelën, Dine Cami dhe Kamer Mehjas.

Në vitin 2017, Çela me "Audin" e tij luksoz për pak sa nuk shtypi efektivët e policisë që e ndaluan për kontroll.

Pamjet që u publikuan treguan mjetin duke hyrë në mjediset e brendshme të tregut të fruta-perimeve, ku roja mbyll menjëherë derën duke mos lejuar policinë që ta ndjekë nga pas.

Por, megjithëse publiku përtej Elbasanit e njihte pak, ose aspak, për policinë dhe organet ligjzbatuese ai ishte pjesë e një kontigjenti me akuza e vepra të rënda penale mbi shpinë.

Ai rezulton i dënuar në Itali për trafik droge, por megjithëse i tillë u është shmangur disa herë përpjekjeve për ta arrestuar dhe ekstraduar.

Një proces i gjatë gjyqësor u zhvillua për këtë çështje, që u mbyll në fillim të 2020-s me shpalljen të pafajshëm nga ana e Gjykatës së Elbasanit.

Kjo ishte fitorja e dytë e Suel Çelës ndaj drejtësisë. Të parën e arriti në nëntor të 2019-s, kur u shpall i pafajshëm për përplasjen me policinë në shtator të 2017-s.

Në atë ngjarje ai përplasi makinën zëvendësdrejtorit të policisë së Elbasanit, Gjergj Oshafi. Edhe pse prokuroria kërkoi 7 vite burg, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për mungesë provash, ndërsa dënoi shokun e tij si autor të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë