Nga Gazeta ‘SI’ – Një audit i rekomandimeve të dhëna nga KLSH për Policinë e Shtetit ka nxjerrë në pah disa problematika që lidhen me komunikimin e qytetarëve me këtë autoritet.
Sipas gjetjeve, policia e Shtetit, sidomos në rrethe ka probleme me stafet e komunikimit me qytetarët. Në qytetin e Shkodrës thotë KLSH janë vetëm dy operatorë telefonikë dhe 7 telefona nga ku vijnë thirrjet.
Probleme me menaxhimin ka edhe në qendrën e Tiranës, ku rezulton se operatorët nuk kanë regjistruar gjithmonë telefonatat apo qytetarët nuk janë rimarrë nga salla operative. Jo gjithmonë të dhënat e rastit janë plotësuar në mënyrë të plotë dhe të saktë në sistemin e menaxhimit të çështjes. KLSH thotë se koha e reagimit të strukturave të policisë ka qenë më shumë se 13 minuta.
Një paregullsi tjetër që ka kufizuar ndjeshëm komunikimin e qytetarëve me policinë është mosfunksionimi i aplikacionit “Komisariati Dixhital”. Në korrik 2022 ky aplikacion u sulmua nga hakerat dhe që atëherë nuk është rikthyer më në jetë. Raportimet vjetore nga ky aplikacionin kalonin 100 mijë raste.
KLSH gjen se Policia ka dështuar dhe në trajtimin e ankesave që vijnë nga platforma e Bashkëqeverisjes, pasi koordinatori shpesh nuk arrin të identifikojë seksionet përgjegjëse brenda Policisë së Shtetit që merren me ankesat sipas llojit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.