Policia e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar një sasi të madhe kokaine, 1.3 ton. Mediat vendase bëjnë të ditur se lënda narkotike u gjet gjatë kontrollit të policisë në një magazinë frutash në fshatin Krushopek në Saraj.
Në aksionin policor marrin pjesë pjesëtarë të Policisë Financiare italiane. “Informoj opinionin se Ministria për Punë të Brendshme në këtë moment ka ndërmarrë disa masa operative dhe aktivitete. Me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake po kryhen bastisje në fshatin Krushopek në afërsi të Shkupit, për tregti të paligjshme të drogës”, konfirmoi në facebook Ministri i Brendshëm, Naqe Çulev.
Raportet fillestare, sipas Alsat, thonë se dërgesa mbërriti së pari nga Amerika në Bari të Italisë, më pas në Mal të Zi, dhe më pas do të dërgohej në Bakër të Sllovenisë. Për arsye të panjohura rruga është ndryshuar dhe dërgesa ka përfunduar në Krushopek.
Nga informacionet e para që vijnë nga operacioni që po zhvillohet në Krushopek të Sarajit kundër një sasie të madhe droge (jozyrtarisht 1,3 ton) janë arrestuar të paktën 3 persona, 2 shoferë dhe 1 magazinier që punonin në magazinën e frutave ku u gjet edhe droga. Ndërsa informacionet e para jozyrtare thonë se droga është kapur në brendësi të një kamion me banane që ka hyrë dje nga Mali i Zi në Shkodër (Shqipëri) dhe ka dalë po dje nga dogana e Qafë Thanës për në Maqedoni.
Informacionet e para po ashtu thonë se kokaina fillimisht ka ardhur nga Kolumbia (Amerika e Jugut) në Tivar (Mal i Zi) e duhej të përfundonte në Koper (Slloveni). Kamioni është me targa të Maqedonisë dhe gjendet i bllokuar nga policia në magazinën e frutave në Krushopek të Sarajit. Mesohet se policia shqiptare ka qenë e angazhuar në këtë aksion policor ndërkombetar që ka përfshirë edhe DEA-n amerikane. Policia shqiptare ka ndjekur lëvizjen e ngarkesës deri në kufirin shqiptaro-maqedonas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




