Lajme

Policia e Shtetit hap dyert për ekselentët, nga 1 shkurti nisin aplikimet

Studentët që kanë përfunduar studimet me rezultate të larta tashmë mund të aplikojë për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.
Kjo procedurë do të nisë duke filluar nga nesër, 1 shkurt, ndërsa për këtë Policia ka sqaruar edhe rregullat që duhen ndjekur.
“Nga 1 shkurti hapet aplikimi për studentët që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.
Në zbatim të urdhrit të ministrit të Brendshëm, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e 150 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftim.
Kriteret e përgjithshme për pranimin në Akademinë e Sigurisë e këtyre kandidatëve:

të jenë shtetas shqiptarë;

të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;

të kenë zotësi të plotë për të vepruar;

të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht, për të kryer detyrën;

të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundërvajtjeje penale me dashje;

të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;

të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.
Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë për t’u pranuar në këtë cikël janë:

të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë):

të jenë në moshë jo më shumë se 29 vjeç;

të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”;

të jenë me gjatësi jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe jo më pak se 165 cm për femrat;

të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.
Aplikimet duhet të bëhen nëpërmjet portalit të Akademisë së Sigurisë, nga data 1 Shkurt 2019 deri në datë 15 Shkurt 2019, ndërsa dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.
Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit:
-Vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga mesatarja e mesatares së ciklit të parë dhe të dytë të studimeve në të njëjtin profil arsimor, si dhe ata me mesatare të njëjtë sipas institucionit ku aplikanti ka përfunduar shkollimin;

vlerësimi i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;

intervistimi i aplikantëve;

kontrolli shëndetësor;

marrjes së shenjave të gishtave;

verifikimi përfundimtar i aplikantit.
Kjo hapje e Policisë së Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, bëhet pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik, me gradën “nënkomisar”.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ftojnë dhe nxisin të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë