Më 29 mars, SPAK dorëzoi në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit socialist, Alqi Bllako. Kërkesa u pranua nga Kuvendi, që caktoi mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Legjislacionit për ditën tjetër, pra më 30 mars.
Në pritje të heqjes së imunitetit dhe hapur rrugë arrestimit, SPAK i çon më 30 mars një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Kërkesa ishte e thjeshtë; Alqi Bllako duhej mbikëqyrur dhe të njoftohej prokurori i posaçëm për çdo lëvizje të deputetit.
Alqi Bllako i paraprin mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit me dorëheqje nga mandati i deputetit. Kërkesa mbërrin në Kuvend në limitet e orarit zyrtar të punës dhe Lindita Nikolla anulon mbledhjen e Këshillit.
Gjithsesi, SPAK ende nuk mund të procedonte me arrestimin e Bllakos, deri në marrjen e shkresës zyrtare nga Kuvendi që të provonte se ai kishte hequr dorë nga mandati i deputetit, e rrjedhimisht edhe nga imuniteti.
Teorikisht, përgjatë të gjithë këtyre zhvillimeve, Policia e Shtetit, sipas kërkesës së 30 marsit të SPAK duhej ta kishte në mbikëqyrje Alqi Bllakon. Por, çfarë ndodhi. 15 minuta nga mbyllja e orarit zyrtar të punës, Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurimit arrest me burg për Alqi Bllakon.
Po teorikisht, duke qenë se e kishte në mbikëqyrje, Policia duhej ta kishte ekzekutuar urdhrin brenda pak minutash. Në media kështu u raportua. Të gjitha folën për prangosjen e Alqi Bllakos, pavarësisht se një pjesë flisnin për vetëdorëzim të tij, ndërsa pjesa tjetër për arrestim në banesë.
E vërteta rezultoi krejt tjetër. Në mbrëmje u mësua se Alqi Bllako as ishte arrestuar dhe as ishte vetëdorëzuar. Policia doli me një njoftim në orët e para të 1 prillit me një deklaratë të shkurtër. Policia thotë se Alqi Bllako ndodhej në Drejtorinë e Policisë së Tiranës që prej mbrëmjes së 31 marsit.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme”, thotë policia, duke shtuar se ai ishte vetëdorëzuar.
Por, deklarata nga Policia e Shtetit përgënjeshtrohet nga vetë SPAK.
“Në orën 15.45, të datës 31.03.2022, vendimi i gjykatës për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Alqi Bllako i është dhënë për ekzekutim strukturave të Policisë së Shtetit. Vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit në orën 03.30 të datës 01.04.2022”, thotë SPAK.
Pra, sipas këtij njoftimi, zyrtarisht Alqi Bllako është arrestuar në orët e para të mëngjesit të 1 prillit. Pyetjet: Ku ishte ish-deputeti për 12 orë nga momenti i vendimit të Gjykatës së Posaçme, deri në arrestimin e tij? Ishte brenda Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, siç njofton policia? Nëse po, pse u njoftua me kaq vonesë SPAK?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.