Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në të gjitha pikat e kalimit kufitar, në porte, dogana dhe ka shoqëruar 7 persona.
Në vijim të kontrollit të zhvilluar ditë më parë në Portin e Durrësit, mesditën e sotme kontrolli është përqëndruar në doganën e Tiranës, me qëllim kontrollin e personave që hyjnë dhe dalin në doganë, kontrollin e mjeteve dhe mallrave, si edhe të ambienteve dhe lokaleve përreth doganës.
Policia bën me dije se janë kontrolluar 67 kamionë, 23 magazina dhe objekte të ndryshme brenda doganës, 107 automjete dhe rreth 267 persona.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 pistoletë, e cila do të dërgohet për ekspertim, disa vula të dyshuara si të falsifikuara e sende të tjera të kundërligjshme.
Policia ka shoqëruar për veprime të mëtejshme 7 persona. Për kontrollin e territorit krahas punonjësve të Policisë u përdorën drone dhe qen antidrogë.
Policia e Shtetit u bën apel qytetarëve që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



