Komunitet

Policët do të mësojnë mirësjelljen

Një nga shtyllat e strategjisë së ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi për Policinë e Shtetit do të jetë mësimi i të gjithë efektivëve me bazat e sjelljes me qytetarin.

“Në akademinë e sigurisë kemi etikën, ku do të kalojnë të gjithë efektivët e policisë, si ata që marrin shkollimin për herë të parë, por edhe të tjerët që u nënshtrohen trajnimeve dhe kurseve të ndryshme. Do të jetë etika sidomos për bazat e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të individit”, deklaroi zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuka.

Deklaratat u bënë gjatë prezantimit të një ankete të qeverisë suadeze, ku sipas Ministrisë së Brendshme rezulton se qytetarët shqiptarë kanë një besim të madh te Policia e Shtetit. Vetë ministri Çuçi tha se do të synohet reformimi i shërbimeve policore duke e transformuar atë nga një “forcë” në “shërbim” për qytetarët.

Në këtë takim foli për herë të parë pas protestave që pasuan vrasjen e Klodian Rashës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Ai tha se rezultati i anketës, ku mbi 80 për qind e qytetarëve ndjehen të sigurt tregon punën e mirë të bërë ndër vite në Policinë e Shtetit. Veliu tha gjithashtu se në krahasim me 2013 ka rënie të krimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë