Punonjësve të policisë do t’iu bëhet testi i drogës për të verifikuar nëse kanë përdorur apo janë përdorues të lëndëve narkotike.
Ky vendim vjen pas urdhrit të nënshkruar nga drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, me qëllimin për të mbrojtur integritetin e forcave të policisë, për të garantuar sigurinë e tyre në publik, si dhe për të ruajtur imazhin pozitiv të policisë në komunitet.
Pikërisht për këtë kryepolici Gledis Nano, nënshkroi këtë të hënë një marrëveshje bashkëpunimi me administratorin e laboratorit mjekësor “Intermedica Center”, Thoma Vasili.
Marrëveshja e bashkëpunimit konsiston në krijimin e mundësive për ekzaminimin mjekësor periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, në kuadër të rritjes së standardeve dhe integritetit personal, për të ndaluar përdorimin e lëndëve narkotike nga ana e tyre.
Testet e drogës për punonjësit e policisë, do bëhen në mënyrë rastësore ose për rastet kur policët dyshohen se janë përdorues.
Sipas Nanos, kjo është një mundësi e vlefshme për rritjen e imazhit të policisë në komunitet dhe për fitimin e besimit të qytetarëve, “sepse kryerja e testit periodik për përdorimin e lëndëve narkotike, do të eliminojnë akuzat e dashakeqësitë ndaj Policisë së Shtetit”.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Nano i ka kërkuar përfaqësuesit të laboratorit, paanshmëri, garanci maksimale në kryerjen e këtij testi dhe ruajtje të konfidencialitetit të të dhënave.
Në kuadër të marrëveshjes, Nano ka nxjerrë dhe urdhrin përkatës për të gjitha strukturat qendrore dhe vendore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.