Nga Gazeta ‘SI’ – Ankesat e punonjësve të policisë se nuk janë paguar për orët shtesë, kanë nxitur debat mes socialistëve.
Në komisionin e Ligjeve, ku ministri i Financave, Petrit Malaj po prezantonte ndryshimet në buxhetin e 2025-s, u përball me shqetësimin e Policisë dhe Gardës.
Deputeti Denis Deliu pyeti ministrin nëse do të ketë një rritje page për policët, gardistët dhe ushtarakët.
“Shoh këtu mbështetje për Ministrinë e Brendshme. Si anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, kemi marrë ankesa nga punonjës të policisë të cilët nuk kanë marrë ende pagesat për orët shtesë, si dhe disa dieta e shpërblime. Në vijim të kësaj, dua të pyes nëse do të ketë një rritje page për Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe Gardën e Republikës?”, u shpreh Deliu.
Ministri i Financave tha se nuk është parashikuar asnjë ndryshim i tillë.
“Ashtu siç kemi sqaruar në relacionin që i kemi paraqitur Komisionit, nuk kemi dhënë fonde shtesë për nevojat që mund të kenë paraqitur disa prej ministrive. Ministrisë së Brendshme, në fakt, i janë alokuar disa fonde shtesë për Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, si dhe për Gjendjen Civile, për të mbuluar detyrime të prapambetura. Për vitin 2025, nuk kemi parashikuar rritje page”, u përgjigj Malaj.
Ndër të tjera, ministri tregoi ndryshimet e propozuara në buxhet, ku parashikohen 11.8 mld lekë shtesë, me fokus sigurinë kibernetike.
Këto ndryshime u hartuan për të reflektuar disa zhvillime në buxhetin e shtetit për vitin 2025. Hartimi i këtij akti u krye pas analizës pesëmujore që Ministria e Financave i bëri të ardhurave dhe shpenzimeve. Nga kjo analizë rezultoi se kishte nevojë për ndryshime në buxhetin e vitit 2025, duke marrë në konsideratë ecurinë e projekteve deri në këtë fazë, si dhe nevojën për një përdorim sa më efikas të fondeve të alokuara për investimet publike. Kjo çoi në parashikimin e ri të disa parametrave buxhetorë, me synimin për t’i harmonizuar me zbatimin real të buxhetit të vitit 2025. Siç është tashmë kushtetuese, rishikimi i buxhetit duhet të bëhet me akt normativ, si një instrument ligjor që vepron me forcë të menjëhershme. Kjo urgjencë buron nga nevoja për të siguruar përdorimin efikas të fondeve publike dhe rialokimin e menjëhershëm të tyre drejt atyre projekteve investimesh që kanë pasur një ecuri më të mirë. Në mënyrë të përmbledhur, përmes këtij Akti Normativ propozohet rialokimi i 11.8 miliardë lekëve, me fokus në forcimin e kapaciteteve për sigurinë kibernetike dhe teknologjinë e informacionit në AKSH, si dhe rishpërndarjen e fondeve brenda ministrive”, përfundoi ministri Malaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.