Gazeta Si – Prej datës 1 deri më 7 korrik të vitit të ardhshëm Pogradeci do të presë garat e Botërorit të Formula 1H2O. Bëhet fjalë për garat e motorrëve të ujit dhe skafeve, që do të zhvillohen në Liqenin e Ohrit. Pogradeci hyn kështu në hartën e këtij sporti, duke përfaqësuar Shqipërinë.
Përfaqësuesit më të lartë të këtij sporti kanë firmosur tashmë kontratën e bashkëpunimit me kryebashkiakun e Pogradecit, Ilir Xhakolli. Lajmi është bërë publik sot edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili shkruan në faqen e tij se pas garave me makina, në Shqipëri po vijnë edhe garat e ujit.

Përfaqësuesi i Formula 1H2O në Shqipëri, Kris Spaho, ka pohuar se eventi i korrikut të ardhshëm është ngjarja më e madhe sportive dhe turistike, që do të organizohet në vendin tonë.
Pjesëmarrës në aktivitet do të jenë 43 skuadra, më shumë se 600 vetë të pranishëm, ndërsa gara pritet të transmetohet nga televizionet më të njohura botërore. Garat zhvillohen në dy dispilina: të skafeve dhe motorrëve të ujit.
“Sot me organizatorët e FORMULA 1H2O për garat botërore të ujit 2024, kur Shqipëria do të hyjë me liqenin e Pogradecit në hartën e këtyre garave, bashkë me Italinë, Francën, Spanjën, Dubain, Indonezinë, Kinën e me radhë”, – shkruan Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




