Pas një mandati dyvjeçar të Poetit të parë Laureat, Rudolf Marku, Shqipëria këtë vit do të zgjedhë një tjetër poet laureat.
Ndërkohë që juria është në punë e sipër, procesi i përzgjedhjes këtë vit është shoqëruar me debat e akuza nga ana e anëtarit të jurisë, Rudolf Marku.
Për shkak të fushatës denigruese që poeti Rudolf Marku bën prej ditësh ndaj anëtarëve të jurisë (pjesë e së cilës është), Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit me në krye Alda Bardhylin ka vendosur shkarkimin e tij nga juria.
“Me të drejtën dhe detyrimin që më jep funksioni i Drejtores së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, kam vendosur zëvendësimin e zotit Rudolf Marku si anëtar i jurisë për emërimin e Poetit Laureat për periudhën 2023–2025. Ky vendim është rrjedhojë e një qëndrimi obstruksionist nga ana e zotit Marku. Ai ka ndërmarrë në vazhdimësi dhe publikisht një fushatë denigruese kundër jurisë, pjesë e të cilës ishte me dëshirën e tij. Fushata e tij nuk synonte përmirësimin e punës së jurisë. Përkundrazi, ai synonte uljen e besueshmërisë së saj, gjë që QKLL nuk mund ta lejojë”, shkruan drejtoresha e Qendrës Kombëtare e Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, ndërsa shton se “Zoti Rudolf Marku u përfshi në këtë juri në shenjë respekti të faktit, se është mbajtësi i parë i këtij titulli në periudhën paraardhëse”.
Rudolf Marku ka hedhur akuza ndaj Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit lidhur me anëtarët e jurisë dhe miratimin e një rregulloreje që do të përcaktojë mënyrën sesi do të zgjidhet poeti laureat.
Juria e këtij viti përbëhet nga poetja kosovare Sibel Halimi, (kryetare e jurisë), poeti Rudold Marku, botuesja Arlinda Dudaj, gazetarja e kulturës, Arta Marku dhe shkrimtari Ylljet Aliçka.
Rudolf Marku, në një analizë që ka publikuar në revistën javore Exlibris, thotë se juria nuk është në stadin e duhur për të gjykuar poezinë, rregullorja e propozuar nuk është e duhura dhe nuk po ndiqet praktika e SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar, vende të cilat prej vitesh u japin këtë titull poetëve si shenjë nderimi dhe për ta bërë poezinë më dominante në diskursin publik.
Nga ana tjetër, Alda Bardhyli i sqaron z. Marku se ai është zgjedhur si poet Laureat i Republikës së Shqipërisë, nga një juri e ngritur mbi të njëjtat standarde si juria aktuale dhe mbi të njëjtat kritere përzgjedhjeje.
Rudolf Marku u zgjodh Poeti i parë Laureat i Shqipërisë, në nëntor 2020 në mjediset e Ministrisë së Kulturës ku edhe mori këtë vlerësim ai do të shprehej: “Do bëj çmos, që gjatë këtyre dy viteve, që të promovoj vlerat e jashtëzakonshme të poezisë shqipe”.
Ndonëse krahasuar me traditat e huaja, eventet do të duhet të ishin më të shpeshta, këto dy vite Rudolf Marku rrallë u pa të drejtonte, organizonte mbrëmje poetike e ta bënte poezinë më dominante në vendin tonë.
Poeti Laureat 2 do të shpallet me një ceremoni të posaçme gjatë muajit tetor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.