Pas një mandati 2-vjecar të poetit Rudolf Marku si poeti i parë laureat shqiptar, këtë vit do të zgjidhet një tjetër poet laureat.
Për poetin e parë laureat pati edhe debate të shumta, kur ai botoi antologjinë “Veshun me diell, mbathun me hanë” ku nuk përfshiheshin poetët nga Kosova.
Ndërsa ka nisur përgatitja për zgjedhjen e poetit të ri laureat, juria e mbledhur në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit ndau në një konferencë për mediat, informacion mbi procesin e zgjedhjes së Poetit Laureat, para se komisioni të vendoste për 10 kandidatët për Poetin Laureat 2023-2025.
Vlerat e poezisë së mirë dhe pastërtia e figurës nga e shkuara komuniste do jenë dy parimet mbi të cilat komisioni do të gjykojë për 10 kandidatët e mëposhtëm, për Poetin e dytë Laureat shqiptar.
“'Poeti Laureat’ do të shërbejë jo veç si promotor i poezisë si zhanër letrar, por edhe si urë lidhëse e letërsisë me gjeneratat e reja. Ajo çfarë është e rëndësishme kësaj radhe te poeti laureat, është që të ketë një frymë moderne të të shkruarit, t’i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të dinamikave të reja sociale, ne nëpërmjet poezisë, duam të promovojmë edhe lirinë e të menduarit, lirinë e të vepruarit”, u shpreh kryetarja e jurisë, Sibel Halimi.
Komisioni për titullin “Poeti Laureat” i kryesuar nga poetja nga Kosova Sibel Halimi dhe anëtarë të tjerë; Poeti i parë Laureat Rudolf Marku, botuesja Arlinda Dudaj, gazetarja e kulturës Arta Marku dhe shkrimtari Ylljet Aliçkaj përzgjodhi 10 kandidatët për titullin “Poet Laureat” për dyvjeçarin 2023-2025.
Kandidatët: Luljeta Lleshanaku, Ervin Hatibi, Natasha Lako, Flutura Açka, Sadik Bejko, Rita Petro, Arian Leka, Preç Zogaj, Ilirian Zhupa, Entela Tabaku.
“Poeti Laureat” 2, do të shpallet në një ceremoni të posaçme në fillim të muajit tetor.
Poeti laureat ka nisur si traditë në Anglinë e vitit 1668, që një nga poetët më të mirë, të ishte laureat i vargjeve poetike.
Poeti që shpallej laureat, do të ishte përgjegjës për të gjetur poetë të rinj të talentuar, të përmblidhte në një antologji poezitë më të bukura të kohës apo edhe të zhvillonte takime letrare ku të interpretohej poezia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.