Njerez

Poeti italo-shqiptar skanon letërsinë shqipe/ Zhara: Poezia në Shqipëri është lënë pas dore

"Poezia shqipe ka mbetur në fundin e viteve 1800, i njohur dhe si shekulli i gjatë. Kam përkthyer shumë poetë shqiptarë, e dua shumë poezinë shqipe por poezia shqipe nëse përjashtojmë dy tre raste si Rudian Zekthi, Parid Teferiçi dhe Ervin Hatibi , i cili veçanarisht ka bërë detyrën e tij por me botimet e fundit , nuk ka ndryshuar dot situatën e sotme letrare duke mos pasur ndikim në ndryshimin e rrjedhës së poezisë shqipe. Kështu letërsia shqipe është brenda kuadrit të lirikës"
Foto: Riccardo Tosetto

Nga Liridon Mulaj- Julian Zhara është poet italo-shqiptar i cili ka lindur në Durrës në vitin 1986 dhe jeton në Itali që nga viti 1999.

Përveç krijimtarisë së tij poetike, Zhara është angazhuar edhe si përkthyes duke përkthyer në italisht disa prej autorëve më të njohur shqiptarë, si Besnik Mustafaj, Virion Graçi, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa dhe të tjerë. Herë pas here, ai kthehet në Shqipëri me misionin e tij idealist: kërkimin dhe përkthimin e letërsisë së mirë shqipe, me synimin për ta bërë atë të njohur në hapësirën letrare italiane.

Këtë herë, Julian Zhara ndodhet në Tiranë për të prezantuar në italisht romanin e njohur të Dritëro Agollit, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, përkthyer nga vetë ai.

Në një intervistë për GazetaSi.al , ai ndalet edhe te letërsia shqipe por edhe ajo botërore për të dhënë opinion e tij. Si një nga poetët më të vlerësuar të gjeneratës së tij në Itali ai mendon se letërsia bashkëkohore po kalon në një fazë të re, të cilën ai e quan “post-truth” (pas së vërtetës). Sipas tij, kjo është periudha kur njeriu ose beson në gjithçka, ose në asgjë.

“Post-truth do të thotë se nuk kemi më një të vërtetë të përbashkët në të cilën besojmë. Çdo dimension i së vërtetës vihet në dyshim. Në letërsi, kjo reflektohet në mosbesimin ndaj gjuhës si bartëse e së vërtetës universale, duke i lënë vend vetëm të vërtetave personale, pasqyrimeve dhe interpretimeve. Sot nuk besojmë më tek objekti vetë, por tek sytë që e shohin atë pra tek perspektiva, jo tek realiteti.”

Zhara shton se kjo qasje filozofike po prek edhe mënyrën se si ndërtohet historia dhe letërsia, ku autori e vendos veten në qendër të përvojës, jashtë një boshti tradicional historik. Ai përmend shkrimtarë bashkëkohorë si Vollmann të cilët përdorin trupin dhe përjetimin personal si “termometër” të realitetit.

Sipas tij, një qasje nihiliste po përfshin edhe shoqërinë shqiptare.

“Shqipëria po kalon një periudhë nihiliste të frikshme. E them për shoqërinë në tërësi. Ndjej një zhgënjim të thellë, një gjendje anestezie. Këtë e kuptoj sa herë që vij në Tiranë.”

I pyetur për gjendjen e poezisë shqipe, Zhara vëren se ajo nuk është reformuar ende dhe ka mbetur brenda kornizës tradicionale lirike, ndërkohë që në Europë kjo qasje është tejkaluar.

Foto nga Piero Viti

“Poezia shqipe ka mbetur në fundin e viteve 1800, i njohur dhe si shekulli i gjatë. Kam përkthyer shumë poetë shqiptarë, e dua shumë poezinë shqipe por poezia shqipe nëse përjashtojmë dy tre raste si Rudian Zekthi, Parid Teferiçi dhe Ervin Hatibi , i cili veçanarisht ka bërë detyrën e tij por me botimet e fundit , nuk ka ndryshuar dot situatën e sotme letrare duke mos pasur ndikim në ndryshimin e rrjedhës së poezisë shqipe. Kështu letërsia shqipe është brenda kuadrit të lirikës. Edhe poetja më e madhe shqiptare Luljeta Lleshanaku, është sublimim i poezisë lirike. Çdo dimension eksperimental që po e ndryshon poezinë sot në botë, nuk ka hyrë në Shqipëri ende. Nuk e them këtë gjë si poezi të prapambetur por nuk mundet poezia të luajë vetëm në një fushë. Poezia në Shqipëri është lënë pas dore”

Megjithatë, Zhara pranon se edhe poezia italiane po përballet me krizë identiteti dhe kuptimi. Ai vetë po eksperimenton me një formë të re poetike që ndërthur gjuhën shqipe dhe italishten, si dhe përplasjen midis dialekteve të tyre.

“Poezia është si kërcimi për trupin , një mënyrë për të zbuluar lëvizje që s’i imagjinon dot. Unë po eksploroj gjuhën e shqiptarëve që jetojnë në Itali, një përzierje mes shqipes dhe italishtes, pak a shumë si arbërishtja e shekullit XVI. Është një gjuhë anarkike, e gjallë.”

Arsyeja kryesore pse ndodhet këtë herë në Tiranë lidhet me përkthimin dhe prezantimin e romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, i cili së fundmi është botuar në italisht.

“Si autor, shpresoj të kem shkruar poezi që mbeten, por si përkthyes e di se përkthimet kanë një jetë të kufizuar. Megjithatë, disa vepra janë aq të forta sa mbeten gjithmonë, pavarësisht përkthimeve të reja. Romani i Dritëro Agollit është një prej tyre, sepse duke e tallur pushtetin, ai flet për çdo kulturë dhe çdo kohë.”

Në fund, Zhara flet për misionin e tij kulturor dhe për lidhjen e pandashme midis krijimit dhe përkthimit:

“Misioni im është të përgatis një antologji të poezisë shqipe në italisht dhe një tjetër të poezisë bashkëkohore italiane në shqip. Në libraritë shqiptare mungon diçka e tillë. Vij shpesh në Shqipëri për të ushqyer ndërgjegjen time, mendoj shqip, por shkruaj italisht. Letërsia shqipe është ndër të paktat në Evropë që shkruhet në katër shtete, një veçanti që duhet ruajtur.”

Zhara citon shpesh një mik të tij poet italian, i cili i thotë: “Nëse nuk arrin të shkruash, përkthe.” Kështu, Julian Zhara, poet dhe përkthyes i formuar në Itali, mbetet besnik ndaj idealit të tij: përkthimit dhe përhapjes së sa më shumë autorëve shqiptarë në gjuhën italiane, në mënyrë që letërsia shqipe të zërë vendin që meriton në kulturën fqinje, një letërsi që, sipas tij nuk është më e mira, por padyshim është ndër më të veçantat.

Shënim: Zhara ka fituar Çmimin Ndërkombëtar të Poezisë “Alfonso Gatto” për të rinjtë dhe ka marrë pjesë në shumë festivale e projekte poetike e muzikore në Itali, ndër to edhe projekti i *spoken music* në MAXXI dhe dokumentari me të njëjtin emër, i transmetuar në Rai 5.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë