Libra

Poeti i dritës, Visar Zhiti

Nga Liridon Mulaj- Të shkruash për dritën, ta shndërrosh atë në element shprese pas një jete të gjatë thuajse në errësirë dhe larg kësaj drite, është një sipërmarrje që vetëm poeti Visar Zhiti mund ta bëjë. Ashtu si poezia e tij, e cila buron nga errësira si konotacion gjeografik dhe historik, për të sjellë te lexuesi atë çka mbetet jashtë saj dhe që vërtet vlen të sublimohet, dritën.

Edhe titulli i veprës së tij më të fundit me poezi e merr frymëzimin nga drita: “Dritë që ecën zbathur”, vëllim i cili me të drejtë u vlerësua nga Agim Vinca si metafora e madhe e dritës që buron nga Bibla.

Visari gjendet në Shqipëri këto ditë. Ka ardhur enkas për botimin e tij më të ri. Nga Tirana në Shkodër e më pas në qytete të tjera të Shqipërisë, ai udhëton për ta prezantuar librin e tij të fundit, duke shfrytëzuar kështu ditët e pakta që kalon në atdhe. Janë të shumtë lexuesit dhe kolegët që kërkojnë ta takojnë, të bisedojnë me të, t’i marrin një autograf – ca nga dashuria për poezinë, e ca edhe nga malli për poetin. Ata janë mbledhur në librarinë Onufri, për të marrë pjesë në prezantimin e librit të tij më të ri.

Vetë Zhiti, në fjalën e tij, thekson se jetojmë në një kohë prozaike, jo dhe aq dashamirëse ndaj poezisë, edhe pse lexues të kësaj të fundit do të ketë gjithmonë:

“Jetojmë në kohë shumë prozaike, tepër dëshpëruese dhe zhgënjyese, kur bëhet fjalë për poezinë. E kam fjalën për librin tim më të fundit me poezi, që del pas 20 vjetësh. Ndoshta nuk e kam ndjerë shumë këtë boshllëk të botimit të poezive. Kam botuar në gazeta dhe vende të tjera, por këtu kam edhe ngazëllimin e këtij libri, sepse u thirra – dhe më pëlqeu kjo thirrje.”

Ai ia dedikon daljen në dritë të këtij botimi një shkrimtari tjetër, Andreas Dushit  i cili, edhe pse i përket një brezi dhe kohe tjetër, sipas Zhitit, ka qenë nxitësi kryesor për të botuar poezitë e shkruara dhe të ruajtura prej vitesh.

“Desha të thosha se e kam ndjerë thirrjen. Më ka ardhur shumë mirë që një i ri në moshë, Andreas Dushi, më nxiti ta sillja librin. Edhe kjo thirrje në vetvete ishte një poezi. Shikova poezitë, kisha disa të largëta, thuajse të 30 viteve më parë. Falë punës përkushtuese dhe të bukur të Enxhi Hudhrit, doli një libër që për poezinë është vërtet një fat. Ndjehem me fat që miqtë e mi janë në gëzimin tim të këtij botimi,” – përmbyll fjalën e tij Visar Zhiti.

Ndërkaq, vetë Andreas Dushi e cilëson Zhitin si poetin e ndjeshmërisë së lartë njerëzore, por edhe urbane:

Visar Zhiti – Andreas Dushi

“E kam lexuar librin në pjesë, në vëllime, dhe më pas të botuar. Poezitë e këtij libri dëshmojnë atë që tashmë ne e dimë: që Visar është poet i ndjeshmërisë më të madhe njerëzore, por po ashtu edhe i ndjeshmërisë më të thellë urbane.

Tematikat e këtyre poezive nisin që prej viteve të largëta të fëmijërisë, prej kujtimit dhe marrjes nga kujtesa kolektive të një tipari, dhe vazhdojnë deri në ditët e sotme, duke dëshmuar fuqinë e poezisë së Visarit,” – thotë Dushi.

I pranishëm në prezantim, edhe pse rastësisht në Tiranë, është edhe poeti dhe studiuesi Agim Vinca, një ndër studiuesit e parë të veprës së Visar Zhitit:

“Unë kam shkruar shumë herët për poezinë e Visarit, që në vitin 1993, me dy librat e tij të parë në poezi pas viteve ’90. Libri i tij ‘Hedh një kafkë te këmbët tuaja’ për mua është një nga librat më të fuqishëm të poezisë shqipe.”

Vinca e cilëson Visar Zhitin si poetin e dritës

“Në titullin e librit është një metaforë e madhe ,  metafora e dritës, që e ka zanafillën nga Bibla. Visar Zhiti, përgjithësisht, është poeti i dritës. I është dashur ta përhapë atë. E kam ndjekur veprën e Visarit dhe mendoj se kjo vepër është një e tërë koherente dhe tematike, duke e bërë atë një nga zërat më autentikë në letrat shqipe. Visari është poet i të gjithë kombit shqiptar. Ai mbetet i pranishëm në të gjitha trevat shqiptare, atje ku lexohet poezia dhe ku e duan poezinë.”

Agim Vinca – Visar Zhiti

Por Visar Zhiti, edhe pse një penë e madhe e letërsisë shqipe, mbetet një njeri i përulur dhe modest. Sa herë takohesh me të, ai, krejt me ndrojtje, të lë një autograf në faqen e parë bosh të librit më të ri dhe buzëqesh , një buzëqeshje që dëshmon mirënjohje dhe përulësi ndaj lexuesit të tij.

Shkrimtari dhe poeti i mirë e do lexuesin e tij, dhe e përgatit për të vërtetat e mëdha, qoftë duke njomur penën në gjak, qoftë duke shkulur nga errësira atë pakëz dritë që vjen rrallë, por sa herë që vjen, është e plotë dhe tronditëse. Të tilla janë edhe poezitë e Visarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë