Podujeva dhe Mitrovica e Veriut po mbajnë sot zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për të zgjedhur kryetarët e rinj të komunave.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se të gjitha qendrat e votimit në të dyja komunat do të qëndrojnë hapur deri në orën 19:00. Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se deri në orën 11:00 në Podujevë kanë votuar 8.27 për qind e votuesve ndërsa në Mitrovicë të Veriut 12.62 për qind ose e thënë ndryshe 2,942 votues.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, të drejtë vote kanë 87 mijë e 381 votues, të cilët do të mund të votojnë në 45 qendra votimi.
Në garë për kryetarin e Podujevës janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bullici nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës. Zgjedhjet në Podujevë duhet të mbaheshin më 15 mars, por për shkak të pandemisë, ky proces u shty.
Ndryshe nga Podujeva, në Mitrovicën e Veriut garojnë katër kandidatë: Erden Atic nga Lëvizja Vetëvendosje, Millan Radojevic nga Lista Serbe, Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Dushan Millunovic, i cili është kandidat i pavarur.
Në këtë komunë të drejtë vote kanë 23 mijë e 313 qytetarë. Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti. Kurse Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor, kur u votua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakic, mori dy poste, atë të zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Pushtetit Lokal.
Rakic ishte kryetar i Mitrovicës së Veriut për dy mandate.
Kjo është hera e parë që misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), në veri të Kosovës nuk do të sigurojë mbështetje teknike, siç kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve, përfshirë edhe zgjedhjet për parlamentin serb, të cilat u mbajtën në komunat me shumicë serbe në Kosovë në qershor të këtij viti.
Në përputhje me rekomandimet e institucioneve shëndetësore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nga ana tjetër mori vendim për miratimin e një udhëzimi administrativ për marrjen e masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit për votuesit dhe stafin e zgjedhjeve në ditën e zgjedhjeve.
Qëllimi i këtij udhëzimi është të përcaktojë masat mbrojtëse për të parandaluar infektimin me COVID-19 të votuesve dhe stafit zgjedhor në qendrat e votimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




