Familjarët e tri viktimave nga Gjilani i Kosovës, që humbën jetën në një spital në Shqipëri në distancë 24 orë nga njëri-tjetri, kanë dyshime se trajtimi mjekësor që kanë marrë nuk ka qenë i përshtatshëm.
Me lot në sy, djali i Afrim dhe Ferdinaze Halitit, si dhe nipi i Elfetjes, të cilët humbën jetën në mënyrë tragjike, nuk është i bindur nga versioni se helmimi ka ndodhur nga kërpudhat.
Ai thotë se është e habitshme pse pas vdekjes së familjarëve të tij ka ngordhur edhe qeni i shtëpisë, pasi ky i fundit nuk konsumon të njëjtat ushqime me familjarët.
“Policia ka nisur hetimet, mjekësia ligjore besoj se do ta thotë fjalën e saj. Mua më shqetëson pse ka ngordhur qeni, ai nuk konsumon ushqimet që hamë ne. Është shumë e dyshimtë. Ne nuk dimë që qeni konsumon kërpudha. Ata mbledhin kërpudha gjatë gjithë kohës. Babi ka dalë se ka pasur dëshirë të ecë nëpër male. Mami i ka njohur shumë mirë kërpudhat se është rritur në fshat”, – thotë djali.
Një tjetër familjar, në krah të djalit, thekson. “Neglizhenca e kujdesit mjekësor parësor në Gjirin e Lalzit, ka qenë shumë e madhe, kjo ka vazhduar edhe në Tiranë. Kërkojmë hetimin e rastit në detaje. Nuk dimë që qeni konsumon kërpudha”.
Djali më tej akuzon dhe shërbimin parësor në Manzë, i cili sipas tij i ktheu në shtëpi tre familjarët me një serum dhe vitamina.
“Është shtëpia jonë, babai është shtetas i Shqipërisë me dokumente. Janë helmuar nga ushqime që i kanë ngrënë. Shqetësuese për ne dhe e papërballueshme për ne, është neglizhenca dhe mostrajtimi i duhur në shërbimin spitalor të Manzës. Tre pacientë më të njëjtat simptoma dhe të kthehen në shtëpi me barna, nuk është në rregull, pa analiza dhe ekzaminime mjekësore, – vijon djali i familjes Haliti. – Kam kontaktuar dhe në telefon me babain dhe më tha që ishte në spital, kanë bërë një serum dhe i kanë nxjerrë nga spitali.Gjendja ka qenë e rëndë, e kam konstatuar përmes të folurit në telefon. Nuk mund të dalë pacienti në atë mënyrë. Tre pacientë me simtoma të njëjta është e pakuptueshme”.
Sipas tij, neglizhenca mjekësore ka vijuar edhe në Tiranë, teksa tregon edhe bisedën me mjekun që i ndoqi kur ishin në gjendje tepër të rëndë.
“Mjeku më tha se është shumë vonë, helmimi nuk bën me i kalu 24 orë. Ne ishim tre ditë vonë. Ça të them unë ty, laboratorin e kanë bërë privat. I thashë nuk ka problem. Na duhen analiza më shumë tha. Pas tre orësh i mblodha dhe ia dërgova. Duhen prapë dhe është vonë thoshte. Babai ka pasur shumë dashamirës dhe pasi e morën vesh, ndihma ka qenë aq e madhe, sa që gjithçka çfarë ka qenë e mundur në spitalin e Tiranës, është bërë. Prindërit e mi ikën, po çfarë do t’i kishte ndodhur dikujt që nuk ka financa as të njohur?”
QSUT: U shtruan në urgjencë në gjendje të rëndë
Në lidhje me rastin, ka reaguar dhe QSUT, ku përmes një njoftimi për shtyp, bën me dije se tre pacientët janë paraqitur me simptoma të rënduara me diagnozë “intoksikacion nga kërpudha”.
Në njoftim, theksohet se pavarësisht kryerjes së të gjitha ekzaminimeve dhe dhënies së kujdesit të duhur shëndetësor, tre pacientët nuk mundën dot të mbijetonin.
“Pasi i janë kryer gjitha ekzaminimet dhe konsultat sipas protokolleve mjekësore të urgjencës dhe janë hospitalizuar fillimisht në Shërbimin e Toksikologjisë më pas dhe në mbrëmje për shkak se gjendja e tyre u përkeqësua, u trasferuan në Shërbimin e Reanimacionit Qendor. Pavaresisht përpjekjeve të mjekëve, ata kanë ndërruar jetë pranë këtij shërbimi”, – thuhet në deklaratë.
QSUT thekson se fillimisht, ka ndërruar jetë Elfete Haliti në 6 maj, një ditë më pas, në 7 maj, ka humbur jetën i biri, Afrim Haliti dhe në 8 maj, ka vdekur bashkëshortja e tij, Ferdinaze Haliti.
Mjeku i Manzës: Kemi ndjekur protokollet mjekësore
Ndërkohë, Anesti Kamburi, mjek në qendrën shëndetësore të Manzës ku kanë shkuar për të marrë mjekim tre anëtarët e familjes Haliti nga Kosova, ka deklaruar se ata nuk i kanë thënë mjekëve se kanë ngrënë kërpudha.
Kamburi shton se janë ndjekur të gjitha protokollet e mjekimit sipas Ministrisë së Shëndetësisë në dy kohë të ndryshme dhe më pas tre familjarët nga Kosova janë përcjellë për në shtëpi, pas nuk kanë pasur shenja të rënda.
“Sa i përket dinamikës si ka ndodhur ngjarja, nuk ka shumë për të folur. Ata janë paraqitur pranë qendrës shëndetësore në dy kohë, – tregon ai për “Abc news”. – Janë trajtuar sipas protokollit. Pasi kanë bërë një trajtim të specializuar, nuk ka pasur neglizhencë. Më pas, sa i përket trajtimit të tyre, janë ndjekur protokollet. Ata janë bërë më mirë dhe janë nisur drejt banesës ku jetonin. Informacionet për konsumimin e kërpudhës, ata nuk i kanë referuar në asnjë moment që kanë konsumuar kërpudha”.
Mjeku i Manzës shton se ata kanë thënë se kanë ngrënë ushqime. “Nuk e kemi nxjerrë ne që janë helmuar nga kërpudhat. Nuk e dimë nga ka dalë ky informacion. Kartelat mjekësore janë marrë nga grupi i hetimit”, – vijoi ai.
Tre anëtarët e familjes Haliti, gjyshja Elfete,78 vjeçe, djali i saj Afrimi, 57 vjeç dhe gruaja e tij, Ferzinaze, 56 vjeçe, humbën jetën në QSUT në Tiranë, pasi prej 3 ditësh kishin shfaqur shenja të rënda të helmimit.
Ato shkuan në qendrën shëndetësore në Manzë pas 6 orësh me simptoma të rënda në shtëpi dhe atje iu është bërë serum dhe kanë marrë vitamina dhe më pas janë dërguar në banesë.
Pasi gjendje a e tyre nuk është qetësuar, janë dërguar në Spitalin e Durrësit, që ma pasi i ka transferuar drejt QSUT-së në Tiranë.
Helmimi i tyre ka ndodhur më 5 maj deri sa më 8 maj humbën jetën njëri pas tjetrit me diferencë prej 24 orësh distancë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




