Politike

13 tetori përçan opozitën, PS merr Vorën e Delvinën, përgatitet për Kamzën

Mentor Kasa - Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane dhe Agrarët kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë për t’u regjistruar si subjekte politike për procesin e 13 tetorit, sipas dekretit të nxjerrë nga Presidenti Ilir Meta, me shpresën që këtë herë KQZ, në mos miratimin, të paktën të mblidhet për t’i shqyrtuar ato.

Kjo është hera e dytë brenda pak ditëve që këto parti shkëputen nga qëndrimi i Partisë Demokratike dhe i drejtohen KQZ-së në përpjekje për ta vënë këtë institucion në lëvizje për organizimin e zgjedhjeve vendore sipas dekretit presidencial. Në përmbajtje dy kërkesat ndryshojnë nga njëra-tjetra. Nëse e para ishte e përbashkët këtë herë kërkesat janë vetjake. Por, në thelb produkti që synohet nga të dyja këto kërkesa është një: organizimi i zgjedhjeve më 13 tetor.

Kërkesa është dorëzuar këtë të hënë, në ditën e fundit të afatit të parashikuar nga Kodi Zgjedhor për regjistrimin e subjekteve politike në zgjedhje. Kodi përcakton se partitë politike duhet të regjistrohen jo më vonë se 70 ditë nga data e mbajtjes së zgjedhjeve, ndërkohë që jo më vonë se 50 ditë nga ky proces në KQZ duhet të jenë regjistruar koalicionet dhe listat e kandidatëve të përbashkët të këtyre koalicioneve.

Lëvizjet e tre prej aleatëve më të mëdhenj të Lulzim Bashës në koalicionin opozitar që drejton, mbërritën pas takimit që ai pati me drejtuesit e këtyre partive mbrëmjen e së enjtes. Gazetasi.al mësoi se në atë takim aleatët i kanë kërkuar Partisë Demokratike që t’i bashkohet nismës së tyre për t’u regjistruar në zgjedhjet e 13 tetorit.

Qëndrimi i Lulzim Bashës ka qenë ai i shprehur publikisht disa herë se 13 tetori është e vetmja datë zgjedhjesh, por nismës për t’u regjistruar në KQZ nuk i është bashkuar me arsyetimin se kjo përpjekje e opozitës do të shpërfillej nga KQZ. Për të testuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se çfarë qëndrimi do të mbante, të nesërmen, pra ditën e premte, LSI, PR dhe PAA dorëzuan kërkesën e përbashkët. Kreu i KQZ-së, Klement Zguri thirri një mbledhje paraditen e së shtunës për të shqyrtuar këtë kërkesë. Mbledhja dështoi për mungesë kuorumi pasi Zguri ishte i vetmi anëtar i Komisionit që u paraqit atë ditë.

Klement Zguri i vetëm në tryezën e mbledhjeve të KQZ-së. Gazeta Si, 5 gusht 2019

Dështimi në testin e parë përballë fuqisë së kartonëve të vendimmarrjes në KQZ nuk stepi LSI-në dhe PR-në, që këtë herë pa PAA-në dorëzuan kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhje. PD mungonte sërish. Nga LSI kërkesa u dorëzua nga ish-deputeti Endri Braimllari. Ai nuk e mohoi se sa u takon hapave që duhet të ndjekë për 13 tetorin, ka një përçarje në kampin opozitar.

“Unë kam ardhur në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të regjistruar kërkesën për regjistrim të LSI-së. Ajo ç’ka është e rëndësishme është që data 13 tetor është ditë zgjedhjesh e ligjshme në vend për zgjedhjet për pushtetin lokal dhe është e respektueshme nga të gjithë”, deklaroi ai.

Ditë e ligjshme zgjedhjesh kjo datë është edhe për Partinë Demokratike, që pak orë pas kërkesave të LSI-së dhe PR-së doli me një deklaratë.

“I vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Është detyrim i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm i KQZ-së dhe institucioneve të tjera shtetërore të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje”, thuhet në deklaratë.

Në të njëjtin reagim PD hamendëson se përpjekja opozitare për t’u regjistruar për këtë proces do të refuzohet nga KQZ, që thotë se e kontrollon Edi Rama.

“Refuzimi i KQZ për të zbatuar Kushtetutën rikonfirmon se Edi Rama kontrollon në mënyrë të paligjshme atë dhe çdo institucion tjetër. PD paralajmëron shërbëtorët dhe kamikazët e KQZ se shpejt do të mbajnë përgjegjësi penale për aktet kriminale me të cilën dhunojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, mbyllet reagimi i demokratëve.

Me kushtin e përforcuar edhe në turin e takimeve me qytetarët, Lulzim Basha thotë se zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën Kryeministër nuk ka, ndaj pyetja se cili do të jetë qëndrimi i PD nëse KQZ bën një veprim prapakthehu dhe njeh 13 tetorin si datë zgjedhjesh merr një rëndësi të veçantë, në një kohë kur, aleatët e tij, si LSI, PR dhe PAA nuk e kushtëzojnë 13 tetorin me largimin e Ramës.

KQZ është me leje dhe vështirë se do të vihet në lëvizje për realizimin e zgjedhjeve më 13 tetor, pa patur më parë një marrëveshje politike. Por në një rast hipotetik, nëse ky institucion do të vihej në lëvizje dhe PD nuk do të regjistrohej, atëherë përballë PS-së do të vendosej LSI me republikanët e Fatmir Mediut. Gjasat janë që 50 ditë nga data e zhvillimit të tyre, dy partitë në fjalë të dilnin me kandidatë të përbashkët në të 61 bashkitë e vendit.

Kjo do të plotësonte një kusht të vendosur nga Presidenti Ilir Meta, që në një konferencën për shtyp të mbajtur në fund të korrikut tha se për të më shumë rëndësi se sa emri i subjektit politik pjesëmarrës në zgjedhje, kishte garantimi i dy ose më shumë kandidatëve në garë në të gjitha bashkitë e vendit.

“Unë nuk kam kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit, ashtu siç kërkon opozita që ka ikur nga Parlamenti. Ftoj Ramën që të reflektojë, të mos pengojë zbatimin e dekretit për 13 tetorin. KQZ dhe institucionet e tjera të mos vazhdojnë në paligjshmëri. Ftoj forcat politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje, jo ato që nuk duan që të regjistrohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shndërrohen në OJQ. 13 tetori është ditë e pashmangshme kushtetuese dhe ligjore dhe detyrim për t’u zbatuar, duke filluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që duhej të kishte nisur zbatimin e dekretit të Presidentit dhe të ftonte të gjitha forcat politike që kanë dëshirë të marrin pjesë në zgjedhje vendore, jo ato që nuk kanë dëshirë”, deklaronte ai.

Pas kësaj deklarate, Presidenti njoftoi marrjen e disa ditëve pushime. Pushimet janë fizike, por jo virtuale. Në rrjetet sociale, Meta iu rikthye krizës edhe këtë të hënë, duke shigjetuar si Qeverinë, ashtu edhe opozitën.

“Fitoret e thella që gëzojnë liderët dhe pasojat e rënda që penalizojnë Shqipërinë dhe shqiptarët. E kam fjalën për fitoren “e vërtetë” të mazhorancës aktuale, që në zgjedhjet e saj të njëanshme dhe të paligjshme, shpalli fitoren në 100% të bashkive të Shqipërisë, si edhe të këshillave bashkiakë. Por edhe entuziazmi i liderëve të opozites se ata fituan 85 % është mbresëlënës, duke harruar se sikur opozita të ishte regjistruar në kohë para shfuqizimit të 30 qershorit si datë e zgjedhjeve do t’i mjaftonte të kishte për vete, jo më shumë se 1/4 e 85% për të arritur një fitore reale dhe institucionale në shumicën dërrmuese të njësive vendore”, shkruan Meta.

Nismën e tre partive opozitare, nga mazhoranca e komentoi kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla. Ai e cilësoi qesharake dhe thotë se zgjedhjet e ardhshme në vend janë vetëm ato parlamentaret në vitin 2021.

"Mos ta bëjmë qesharake sjelljen e opozitës. Hezitoj të bëj koment për halle të pazgjidhshme të opozitës. Zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen në vitin 2021", deklaroi ai.

Balla përsëriti qëndrimin e shprehur disa herë edhe nga Edi Rama se mazhoranca është gati të bashkëpunojë me opozitën, parlamentare dhe jashtëparlamentare, por vetëm për reformën zgjedhore.

Socialistët marrin Vorën e Delvinën, përgatiten për Kamzën

Në kohën që nga opozita nuk ka një qëndrim të unifikuar sa i takon 13 tetorit, mazhoranca mbetet e bindur për 30 qershorin. Kandidatët socialistë që u shpallën fitues në këto zgjedhje vazhdojnë të marrin detyrën.

Deputeti socialist, Ervin Bushati, kryebashkiaku i ri i Vores, Agim Kajmaku dhe keshilltari bashkiak i PS ne Tirane, Aldrin Dalipi

Java nisi me betimin e kryebashkiakut të ri të Vorës, Agim Kajmaku. Ky i fundit u betua në prefekturën e Tiranës, ndërsa tha se detyrën ishte i gatshëm që ta merrte po të hënën. Kajmaku përjashtoi mundësinë e ndonjë rezistence në bashkinë që deri më tani drejtohej nga Fiqiri Ismaili i Partisë Demokratike.

Socialistët morën pa rezistencë edhe Bashkinë e Delvinës, të drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që deputeti Ervin Bushati thotë se është çështje ditësh që të përfundojë konstituimi i këshillave bashkiakë dhe kryetarëve të rinj të bashkive në të gjithë Qarkun e Tiranës.

Pjesë e qarkut të kryeqytetit është edhe Bashkia e Kamzës. Socialistët kanë paralajmëruar konstituimin e këtij këshilli për ditën e mërkurë. Vështirë se ky konstituim do të bëhet në ambientet e bashkisë, pasi kryebashkiaku Xhelal Mziu ka deklaruar se nuk do të lirojë zyrën.

"Ne presim datën 13 Tetor dhe s’e shoh ligjore. Do drejtoj qytetin deri në zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo dosje do shkojë në Gjykatën e Apelit, do e çoj edhe në Gjykatën Kushtetuese, do bej kallëzim ndaj kancelares e gjykatëses se shkelën ligjin, do ta kallëzoj edhe në KLGJ se zgjodhën sistemin elektronik. Nuk më intereson një mbajtje e karriges edhe pse është ligjore. Ju kam sugjeruar mbështetësve që mos e kthejmë në një betejë. Nuk do lejoj gjakderdhje, por s’do lë instrument ligjor pa përdorur ndaj këtij sistemi të kalbur që ka një emër, Ramën e Rilindjen", deklaroi ai në një intervistë për televizionin Klan.

Paralelisht me këtë, Partia Demokratike akuzoi mazhorancën se qëndron pas një sulmi me lëndë plasëse ndaj nënkryetarit të Bashkisë Kamëz, Vendim Demaj.

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi rritjen e dhunës kundër kundërshtarëve politkë dhe përfaqësuesve të opozitës. Mbrëmë në mesnatë është vendosur tritol në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës, Vendim Demaj. Fatmirësisht, ai dhe familja e tij nuk ndodheshin në banesë”, thotë PD.

Gazetasi.al mëson se lënda plasëse është vendosur në derën hyrëse të banesës së familjes Demaj. Shpërthimi është regjistruar rreth orës 11:00 të mbrëmjes të së dielës, fatmirësisht duke shkaktuar vetëm panik tek fqinjët dhe dëme materiale, pasi në momentin e sulmit asnjë anëtar i familjes nuk ndodhej në shtëpi.

Opozita akuzon Policinë e Shtetit se po e mban të fshehtë këtë ngjarje, ndërsa shton se Bashkia e Kamzës është vënë në shënjestër të sulmeve të mazhorancës.

“Bashkia e Kamzës prej kohësh është vënë nën sulmin verbal të kryeministrit Rama dhe disa strukturave të tjera të pushtetit. Por vendosja e tritolit në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës përbën një përshkallëzim të agresionit ndaj kundërshtarëve politikë të regjimit të Edi Ramës. Fshehja e ngjarjes nga policia nuk i kontribuon as zbardhjes së saj e as kthimit të qetësisë në Kamzës. Ajo vetëm sa shton mosbesimin e qytetarëve ndaj forcave të policisë”, thuhet në deklaratë.

PD drejton gishtin nga Edi Rama si përgjegjësi kryesor për këto akte dhune ndaj përfaqësuesve të saj politikë dhe zotohet se do të vendosë përpara përgjegjësisë ligjore çdo zyrtar tjetër që me veprimin, apo mosveprimin e tyre u jep kurajo akteve të tilla dhe nuk ndëshkon autorët.

“Ne as nuk falim e as nuk harrojmë. Ora e drejtësisë do t’u trokasë shumë shpejt!”, mbyllet deklarata e PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë