Politike

Po me 13 tetorin, ç’do të bëhet? Dekreti, i papublikuar në Fletoren Zyrtare

Dekretet janë rruga përmes të cilës Presidenti i Republikës ushtron kompetencat e tij. Përmbajtja në formë dhe frymë e këtyre dekreteve duhet të jetë në pajtim me kompetencat që Kushtetuta i njeh institucionit të Presidentit.

Ilir Meta nxorri në ditët e para të qershorit dekretin që anulonte zgjedhjet 30 qershorit dhe e mbron atë duke deklaruar se është në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta. Por, siç gazeta “Si” ka raportuar vazhdimisht, mazhoranca e akuzoi për tejkalim kompetencash. Ndërkohë, tre ditë para 30 qershorit, Meta nxorri një dekret të ri, me anë të të cilit shpallte 13 tetorin si datë zgjedhjesh për pushtetin vendor.

Mazhoranca nga ana tjetër nuk njeh as dekretin e parë dhe as të dytin, akuzon Presidentin për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe për këtë qëllim ka nisur në Kuvend procedurat për shkarkimin e tij.

Përveç dallimit se dekreti i parë anulonte zgjedhje, ndërsa dekreti i dytë shpallte një tjetër datë zgjedhjesh, mes dy vendimeve të Ilir Metës ka edhe një dallim tjetër procedurial. Dekreti i parë u reflektua me shpejtësi në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që dekreti për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor nuk është pasqyruar ende në këtë fletore.

Reflektimin në Fletoren Zyrtare, Presidenti dhe opozita e shihnin si përforcim të kushtetutshmërisë së dekretit. Por, ligji për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare nuk i jep kësaj të fundit të drejtën të interpretojë një akt të një institucioni tjetër, por vetëm ta botojë atë. Ligji në fjalë nuk përcakton drejtpërdrejtë afatet e botimit për dekretet presidenciale që nuk lidhen me kthimin ose miratimin e ligjeve të Kuvendit. Për këta të fundit përcaktohen afatet kohore në nenin 8, që thotë se brenda 5 ditëve nga dekretimi i një ligji nga ana e Presidentit, ligji duhet t’i dorëzohet Qendrës së Botimeve Zyrtare për pasqyrim në Fletoren Zyrtare.

Presidenti Ilir Meta duke treguar dekretin e firmosur që shpall 13 tetorin si datë të re për zgjedhjet vendore

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se botimi në QBZ nuk e bën as më shumë dhe as më pak të ligjshëm, ose të paligjshëm aktin e Presidentit. Edhe rasti i mosbotimit të dekretit për 13 tetorin në Fletoren Zyrtare as do të thotë se dekreti nuk ka hyrë në fuqi dhe as që dekreti është i paligjshëm.

Botimi në Fletoren Zyrtare merr rëndësi vetëm atëherë kur në ligjin ose aktin e nxjerrë nga një institucion tjetër, si Presidenti, Qeveria apo Kuvendi, përcaktohet shprehimisht se ligji, apo akti në fjalë hyn në fuqi pas botimit në këtë fletore. Zakonisht, ligjet që ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, apo që kanë të bëjnë me veprat penale, përcaktojnë një afat kohor për hyrje në fuqi deri në 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ky afat është menduar nga ligjvënësi si koha e mjaftueshme që qytetarët të njihen me ndryshimet ligjore në fjalë.

Ndërkohë, dy dekretet e Presidentit Meta, pra ai që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit dhe tjetri që vendos 13 tetorin si datë zgjedhjesh e kanë të përcaktuar në fund të tyre që “ky dekret hyn në fuqi menjëherë”.

Pra, loja me botimin në Fletoren Zyrtare, që është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë është një lojë politike dhe jo juridike dhe në vazhdën e përplasjes mes mazhorancës nga njëra anë me Presidentin dhe opozitën nga ana tjetër se kush vlerëson kushtetutshmërinë e dy dekreteve në fjalë. Për shumicën, 30 qershori është një kapitull i mbyllur dhe bashkë me të edhe rezultati i dalë prej tij, ndërsa 13 tetori nuk ekziston.

Opozita e cilëson farsë procesin zgjedhor dhe akuzon socialistët se edhe pse garonin të vetëm në zgjedhje, mbushën kutitë e votimit për të rritur fiktivisht pjesëmarrjen. Opozita dhe Presidenti nuk i njohin këto zgjedhje dhe as rezultatin e tyre. Sa i takon rezultatit, gazeta “Si” sjell komentin e Presidentit në rrjetet sociale.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2362370800475846

“Të dashur miq! Duke ju uruar një të dielë sa më relaksuese e çlodhëse ju ftoj të gjithëve të gjeni një shpjegim shkencor të shumimit të votave mbi numrin e pjesëmarrësve të votimeve të 30 qershorit!”, shkruan si diçiturë të një foto-komenti ironizues mbi mospërputhjen e shifrave të publikuara nga ana e KQZ-së në disa raste.

Pasditen e së shtunës, Presidenti Meta postonte një foto të shkrepur nga Gjiri i Lalzit, ku me rroba plazhi u uronte ndjekësve të tij një mbrëmje të këndshme. Fotoja u mor dhe “u përpunua” nga faqet satirizuese dhe u rihodh në qarkullim në Facebook dhe Instagram. Satira tërhoqi vëmendjen edhe të Ilir Metës që duket se i ka pelqyer dhe e ka ripostuar vetë.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2362524693793790

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë