Gazeta Si – Seanca e radhës së dosjes “Plumbi i Artë” është shoqëruar me tensione të forta mes të pandehurve këtë të martë.
Në Gjykatën e Posaçme, kanë dëshmuar Xguliano Hoxha dhe Erion Alibej, të cilët kanë hedhur akuza të forta kundër njëri-tjetrit.
Hoxha është shprehur se financuesi dhe organizatori i vrasjes së Kastriot Kilës, i ashtuquajtori “Oti”, nuk është Suel Çela (i shpallur në kërkim ndërkombëtar), por Erjon Alibej.
“Në një nga takimet që kam zhvilluar me Erion Alibej, ai më ka treguar se pasi kishte lidhje intime me gruan e Otit, ka porositur vrasjen e Kilës tek Nuredin Dumani. Pra organizator për vrasjen e Ot Kilës ishte Erion Alibej dhe jo Suel Çela”, dëshmoi Xhuliano Hoxha. Por bashkëpunëtori i drejtësisë, Erjon Alibej dhe avokati i tij e cilësuan dëshminë e Hoxhës një trillim.
Alibej po ashtu kërkoi nga mediat që të tregohen të kujdesshme me informacionet që përcjellin në lidhje me çështjen.
“Do të flas edhe unë në deklarimet e mia. Por unë i sugjeroj medias të mos nxjerrë çdo gjë që flasin këta këtu. Ai përmendi emrin Suel Cela. Unë i them medias të bëjë durim derisa të flas, se do flas për Suel Çelën dhe për Suel Çela të tjerë. I sugjeroj medias të mos nxitohet”, ka thënë ai.
Ndërkohë, i akuzuari Petrit Qoli ka akuzuar Nuredin Dumanin për dëshmi të rreme dhe kërkoi nga prokurorët që t’i marrin parasysh pasojat e deklaratave të të penduarit të drejtësisë.
“SPAK ka burgosur një Ervis Naçi të vogël. Të bindësh të tjerët të japin nga pasuria është vlerë e madhe nga Zoti. Ju kam shpjeguar pasojat e këtij terrorizmi. Le t’i dinë dhe prokurorët pasojat. Të nderuar gjyqtarë, unë nuk e dua me jetën. Do kisha bërë vetëvrasje, por jam besimtar dhe nuk e bëj. Unë një situatë të ngjashme e kam pasur në Itali, kur një tjetër Nuredin më ka akuzuar, por prokurorja italiane më besoi. Unë kam kaq vite në burg, larg familjes, larg babait e njerezve të mi. Do vras veten Behar Dibra. Por shkelni ligjin me katër këmbë”, tha Petrit Qoli në gjyq, duke iu drejtuar prokurorit të SPAK-ut që ka dosjen në hetim.
Para arrestimit të tij dy vjet më parë, i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani mbeti i plagosur në momentin që ishte nisur për të vrarë “Otin”. Sipas tij, Suel Çela i kishte kërkuar vrasjen e Kilës për 200 mijë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.