Menaxhim

Plazhi publik, bashkitë do të vendosin çmime sipas zonës dhe kërkesës turistike

Nga Gazeta ‘SI’ – Në përpjekje për të vendosur më shumë kontroll mbi përdorimin e hapësirave publike bregdetare, qeveria ka miratuar një vendim të ri.

Me firmën e kryeministrit, vendimi njeh një tipologji të re plazhi: plazh publik i tarifuar, i cili do të administrohet nga bashkia ose ente të krijuara prej saj, duke përjashtuar në mënyrë kategorike delegimin apo kontraktimin e këtyre hapësirave tek subjektet private.

Vendimi sqaron se tarifat do të jenë të diferencuara sipas zonave, nivelit të zhvillimit turistik, aksesueshmërisë dhe kërkesës. Në këtë kuadër, për herë të parë përfshihen në rregullore edhe hapësirat publike pranë liqeneve dhe lumenjve, krahas plazheve detare.

Sipas vendimit, këshillat bashkiakë kanë të drejtën të miratojnë, përpara çdo sezoni turistik, çmimet maksimale për secilën zonë bregdetare. Në mungesë të një vendimi të tillë, çmimi maksimal do të negociohet mes bashkisë dhe subjektit privat, në përputhje me parimet e konkurrencës dhe interesit publik. Tejkalimi i këtyre çmimeve konsiderohet shkelje kontraktore dhe mund të pasohet nga masa administrative ose zgjidhja e kontratës.

Në të njëjtën kohë, VKM-ja qartëson edhe “hierarkinë” e përparësive për shfrytëzimin e stacioneve të plazhit, duke përcaktuar se Investitorët Strategjikë kanë prioritet, por vetëm pas vënies në funksion të strukturave akomoduese turistike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë