Rend dhe Ligj

Plani kriminal i vëllezërve Dukaj, polici qëndroi 5 netë ‘roje’ për të vrarë Eduart Reçin dhe u fsheh në shkallët e një hoteli

Gazeta Si – Plani kriminal për ekzekutimin e biznesmenit Eduard Reçi kishte filluar prej datës 8 nëntor, por për arsye të panjohura deri tani nga policia nuk u krye nga Shkëlqim dhe Florjan Duka.

Dy vëllezërit, me banim në Tiranë dhe të arrestuar një ditë më parë, janë marrë në pyetje veç nga njëri-tjetri, me synimin për të mos ndikuar në dëshmi.

Pavarësisht deklaratës së mohimit që ka bërë Shkëlqim Dukaj, policia thotë se ka prova të mjaftueshme që i implikojnë dy si autorë në ngjarje.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, ka rezultuar se ata e kanë ruajtur biznesmenin 5 ditë para se të kryenin krimit.

Sipas burimeve paraprake, Shkëlqim Duka, punonjësi i policisë në Komisariatin nr.2 në Tiranë, prej orës 19:00 të mbrëmjes e deri në orën 23:00 qëndronte i fshehur në shkallët e emergjencës së një hoteli, i cili është fare pranë vendit ku ndodhi ngjarja.

Kjo është faktuar nga kamerat e sigurisë për të cilën në to shquhet edhe një send në dukje armë zjarri me dylbi.

Por pavarësisht tentativës për ekzekutim që prej datës 8 e në vazhdim, krimi është kryer vetëm me datën 13 nëntor. Policia tha se ende nuk ka gjetur armën e krimit. Madje, asnjë prej vëllezërve nuk folir për të dhënë detaje para grupit hetimor duke qëndruar në heshtje.

Policia e kishte siguruar informacionin që punonjësi i policisë kishte për konfliktin të shtrirë në kohë me Eduard Reçin.

Shkëlqim Duka rezulton se ka kryer studimet në Akademinë e Policisë në Turqi, e ndërsa njihej nga grupi i oficerëve për dëshirën për qitje me armë zjarri, e sidomos atyre me snajper.

Policia ka shtrirë hetimet edhe tek një person i tretë që besohet se iu ka ardhur në ndihmë vëllezërve për kryerjen e ekzekutimit.

Pavarësisht mohimit të përfshirjes në ngjarje, policia thotë se ka prova të mjaftueshme që i implikojnë ata në krim.

Eduart Reçi ishte i angazhuar në ndërtimin e pallateve. Ndërkohë, aty pranë vendit ku ndodhi krimi, dy vëllezërit Duka kanë në pronësi një lokal. Pranë kësaj prone, sipërmarrësi Reçi synonte të ndërtonte një pallat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë