Menaxhim

Plani 10-vjeçar/ Albgaz do të përshtasë tubacionet e gazit edhe për hidrogjen

Nga Gazeta ‘SI’ – Hidrogjeni është një ndër planet afatgjata të kompanisë shtetërore Albgaz. Në planin 10-vjeçar të dërguar në ERE, kompania planifikon përshtatjen e tubacioneve të gazit edhe për transmetimin e hidrogjenit, pasi potencialisht mund të zëvendësojë gazin pas 2030-s.

Ky konstatim vjen në një kohë kur Europa dhe jo vetëm po tentojnë të përshtaten me alternativa të reja dhe të pastra të energjisë, siç është edhe hidrogjeni, që çlirohet kryesisht nga gazi natyror.  

“Megjithatë, duke qenë se ritmi i ndërtimit të instalimeve të prodhimit në shkallë të lartë të hidrogjenit si dhe shkalla e konvertimit të konsumatorëve nga gazi natyror në hidrogjen janë aktualisht të panjohura dhe të pasigurta, për të mbajtur opsionin e hidrogjenit ende të zbatueshëm për Shqipërinë, ALBGAZ merr në konsideratë që tubacionet e reja të gazit do të ndërtohen të tilla për të pranuar hidrogjen dhe për të ndryshuar minimalisht/ose për të punuar në minimum në rast të një përmbajtje më të lartë hidrogjeni”, shkruan Albgaz.

Në dokument, Albgaz përmend edhe projektet prioritare që ka, duke nisur nga TEC Vlora, GNL Vlora dhe gazifikimi i Korçës.

Deri në fund të 2032-shit, Albgaz parashikon investime deri në 740 mln euro, nga të cilat më shumë se 200 duhet të përfundojnë deri në 2025-n.

Albgaz thekson nevojën e ndërtimit të një rrjeti të ri të gazit në vend, pasi ato ekzistuse janë tërësisht të armotizuara. Ky projekt është kryesisht i financuar nga KE, që synon të krijojë jë rrjet transmetimi të sigurtë të gazit në kontinent. Shqipëria preket në 5 pika, kryesisht kufijtë me vendet fqinje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë