Politikbërësit europianë kanë lënë mënjanë 280 miliardë euro, si rezervë për të lehtësuar dhimbjen e krijuar nga rritja e çmimeve për bizneset dhe konsumatorët, por ndihma ka gjasa të zvogëlohet.
Shkurtimet e gazit nga Rusia dhe ndërprerjet nëpër termocentrale, kanë çuar në qiell çmimet sezonale të energjisë duke u rritur me 10 herë nga normalja. Tensioni është rritur me Moskën që po përgatitet për një bllokim treditor të gazsjellësit Nord Stream, për një shërbim në tubacion, duke rritur shqetësimin e një bllokimi të përhershëm.
Qeveritë në kontinent janë fokusuar në uljen e faturave të energjisë, një qasje që nuk mund të zgjasë shumë dhe që po rrezikon të përkeqësojë krizën. Planet për të reduktuar taksën e gazit në Gjermani apo subvencionimi i ngrohjes në Poloni, jo vetëm që nuk e frenojnë kërkesën, por e rrisin atë.
“Kjo do të thotë të lësh bashkë zjarrin dhe benzinën”, thotë Joanna Mackowiak-Pandera, presidente e një kompanie energjitike në Varshavë. “Nuk kemi arritur ende në atë pjesë”.
Çmimi i energjisë elektrike në Gjermani sikur një fuçi naftë të shkojë 1.000 dollarë
Ministrat e Energjitikës së Bashkimit Europian mund të mbajnë një takim urgjent për të diskutuar më seriozisht rritjen e çmimeve të energjisë. Republika Çeke që po mban presidencën e bllokut tani, po konsideron thirrjen për një debat mbi përfundimin e spirales rritëse, tha ministri i Industrisë atje, Jozef Sikela.
Përgjigja e deritanishme e politikave rrezikon të djegë burimet financiare të rajonit dhe të intensifikojë rritjen e inflacionit ndërsa ekonomitë bllokohen. Kjo mund të ushtrojë presion mbi taksapaguesit që të paguajnë fatura më të larta, me çmimet që pritet të mbeten të tilla të paktën gjatë vitit të ardhshëm.
Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, mbulimi i kostove ekstra të energjisë do t’i kushtojnë qeverisë 110 mld paund deri në 2023-shin.
Në vend që të shpërndajnë para, autoritetet duhet të fokusohen në mbështetjen vetëm te qytetarët më të cenueshëm dhe të promovojnë investime efikase për bizneset dhe konsumatorët më të pasur, sipas Peter Vis, një ish-zyrtar i lartë i BE-së.
Ndërsa politikat si plani i Greqisë për të mbuluar 94% të rritjes së faturave të energjisë në shtator janë të lehta për t’ju shitur votuesve, ulja e konsumit kërkon zgjedhje jopopullore. Por mund të ketë pak alternativë.
“Kursimi e energjisë duhet të jetë prioritar,” tha Vis. “Rritja e çmimit të energjisë do të shkaktojë dhimbje të vërtetë dhe qeveritë janë ende larg ofrimit të një përgjigjeje adekuate.”
Ligjvënësit spanjollë do të debatojnë të enjten për një nga nismat e rralla ligjore të Europës për të frenuar konsumin e energjisë. Rregullat përcaktojnë që shumica e bizneseve nuk do të lejohen të ftohin ambientet e tyre të brendshme nën 27 gradë Celsius në verë ose të ngrohin mbi 19 gradë Celsius në dimër.
Kjo u vendos me një dekret nga kryeministri Pedro Sanchez muajin e kaluar, por kërkon miratimin parlamentar për t’u bërë ligj. Partia kryesore e opozitës planifikon të kundërshtojë projektligjin, i cili përfshin kufizime për ndriçimin e jashtëm, duke e quajtur atë joserioze dhe një rrezik për turizmin dhe sigurinë publike.
Liderët europiane joshen më shumë nga politikat vullnetare të kursimit, nga ulja e temperaturës tek dushet më të shkurtra.
“Liria jonë, sistemi i lirisë me të cilin jemi mësuar të jetojmë ka një kosto”, tha presidenti francez Emmanuel Macron në fillim të një takimi të kabinetit të mërkurën. “Ndonjëherë kur ne kemi nevojë ta mbrojmë atë, duhet të sakrifikojmë”.
Ndërsa qeveria franceze ndau me shpejtësi dhjetëra miliarda euro për të mbrojtur familjet dhe bizneset, ajo vetëm kohët e fundit filloi bisedimet me autoritetet lokale dhe grupet tregtare për planin e reduktimit të kërkesës me 10%.
Përgjigja ndaj krizës energjetike është tregues i panoramës së paqëndrueshme politike të rajonit, me shumë liderë që nuk i mbështesin vendimet e vështira. Macron humbi shumicën në Asamblenë Kombëtare, partia e kancelarit Olaf Scholz ka rënë në vendin e tretë në sondazhet e votuesve gjermanë, Italia është në pritje të zgjedhjeve të parakohshme pasi aleatët hodhën poshtë kryeministrin Mario Draghi dhe konservatorët e Britanisë po zgjedhin pasardhësin e Boris Johnson.
Me rajonin që po hyn tashmë në recesion, dështimi i zgjidhjes së krizës energjitike po shqetëson shoqërinë dhe po tensionon politikat, në pritje të një dimri të ftohtë. Mundet edhe që të pakësojë vullnetin e qytetarëve për të dënuar Kremlinin për luftën në Ukrainë.
Në Poloni, ku qeveria ka qenë një mbështetëse e vendosur e Kievit për të shmangur trupat ruse, 34% e votuesve fajësojnë qeverinë aktuale për shpenzimet në rritje.
Përpara zgjedhjeve të muajit të ardhshëm në Suedi, shqetësimi për çmimet e energjisë elektrike është rritur në krye të agjendës politike, me partitë që përpiqen të tejkalojnë njëra-tjetrën me masa për të lehtësuar kostot në rritje.
Programi i dështuar i subvencionimit do të bëhet një problem në zgjedhjet e ardhshme në Danimarkë. Qeveria e kryeministres Mette Frederiksen është detyruar të hetojë pse disa njerëz morën një grant prej 6.000 koronash (800 dollarë) pa u kualifikuar, ndërsa banorët e kualifikuar dolën duarbosh.
Në Itali, krerët e dy partive më të mëdha u grindën për vendosjen e kontrolleve të çmimeve të energjisë në debatin e tyre të parë publik përpara zgjedhjeve të 25 shtatorit. Giorgia Meloni, pretendentja kryesore për kryeministre, mbështeti një kufi të propozuar në mbarë Europën për çmimet e gazit.
Rusia, që ka qenë historikisht furnizuesi më i madh i gazit i BE-së dhe mbulon rreth 40% të kërkesës – është pothuajse e pamundur të zëvendësohet në afat të shkurtër. Ngarkesat e gazit natyror të lëngshëm kanë ndihmuar në mbushjen e rezervave, por konkurrenca pritet të intensifikohet.
Një operator rus LNG anuloi një dërgesë për të paktën një klient aziatik për shkak të problemeve të pagesës si dhe vonesave në nënshkrimin e kontratave të rishikuara, sipas tregtarëve me njohuri për këtë çështje. Çdo ndërprerje në dërgesat e gazit natyror rrezikon të përkeqësojë një krizë të furnizimit dhe të nisë luftërat e ofertave midis vendeve europiane dhe aziatike./Bloomberg
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



