Menaxhim

Plan kombëtar për energjinë/ Të kursehet 0.8% e asaj që konsumohet. Krijohet Fondi i menaxhimit

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria planifikon krijimin e Fondit Kombëtar për Eficiencën Energjetike (FKEE), një strukturë autonome që do të menaxhojë dhe financojë projektet e kursimit të energjisë në vend.

Sipas projektligjit të ri, fondi do të administrojë burime financiare të dedikuara për projekte efiçence, duke përfshirë donacione, të ardhura nga investimet, tarifa dhe kontribute të tjera që do të përcaktohen me aktet nënligjore. FKEE do të funksionojë jashtë strukturave të drejtpërdrejta të qeverisë, me autonomi operacionale dhe administrative.

Në qendër të draftit ligjor që po diskutohet është vendosja e një objektivi kombëtar të kursimit të energjisë, i cili parashikohet të jetë të paktën 0.8% e energjisë së shitur çdo vit. Për arritjen e këtij objektivi, ligji ngarkon me detyrime disa aktorë kyç të tregut: kompanitë shitëse të energjisë, operatorët e sistemeve të shpërndarjes dhe transmetimit, si dhe konsumatorët e mëdhenj të energjisë.

Për të realizuar kursimet, drafti parashikon një sërë masash, si riparimi dhe përmirësimi i ndërtesave, zëvendësimi i pajisjeve me versione më efikase, dhe instalimi i matësave inteligjentë, që ndihmojnë në monitorimin më të saktë të konsumit.

Sipas projektligjit, duke filluar nga viti 2026, të gjitha qendrat e të dhënave me fuqi të instaluar mbi 500 kW do të detyrohen të publikojnë informacion mbi konsumimin dhe performancën energjetike. Përjashtim bëjnë vetëm qendrat që lidhen me mbrojtjen kombëtare ose civile. Paralelisht, Agjencia përgjegjëse për eficiencën do të krijojë një regjistër kombëtar të të dhënave dhe do të përgatisë praktikat më të mira për këtë sektor.

Drafti sugjeron gjithashtu që furnizuesit me gaz të instalojnë matësa individualë për çdo konsumator fundor, kur kjo është teknikisht dhe financiarisht e mundur, duke synuar rritjen e transparencës dhe përmirësimin e kontrollit të konsumit.

Një tjetër risi është krijimi i Agjencisë për Eficiencën e Energjisë, e cila do të ngrihet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe do të funksionojë në varësi të ministrit përgjegjës për energjinë. E financuar nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera, përfshirë ato të huaja, agjencia do të ketë rol drejtues në zhvillimin, monitorimin dhe zbatimin e politikave të eficiencës energjetike në sektorët rezidencial, industrial, të transportit dhe bujqësisë. Gjithashtu, ajo do të bashkëpunojë me autoritetet vendore dhe organizatat për krijimin dhe përditësimin e databazave energjetike, si dhe për të mbështetur masat që nxisin uljen e konsumit dhe rritjen e kursimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë