Ngjarje

Plagosja në Lushnjë ende mister. Autori ishte i maskuar dhe qëlloi me silenciator

Gazeta Si - Mbetet ende një mister për grupin hetimor ngjarja në Lushnjë, ku mbeti i plagosur rëndë një 44-vjeçar, baba i dy fëmijëve.

Kujtim Meta ishte duke konsumuar kafenë në një lokal, kur drejt tij qëlloi një person ende i paidentifikuar.

Sipas burimeve paraprake, autori ka goditur 4 herë në drejtim të 44-vjeçarit nga një distancë prej rreth 1 metër.

Të gjitha plumbat e pistoletës e kanë prekur në pjesë të ndryshme të trupit.

Atentatori është futur i vetëm në lokalin ku Meta po pinte kafe, ndërsa në ambientet e tij ishin edhe disa klientë të tjerë.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, ai ka qenë i maskuar me syze të errëta, maskë anti-Covid, me kapuçin e xhupit në kokë në ngjyrë blu të errët dhe me pistoletë me silenciator.

Pikërisht këto të dhëna, i kanë bërë hetuesit të dyshojnë se bëhet fjalë për vrasës me pagesë në një atentat të mirëfilltë.

Kujtim Meta kishte rreth 20 minuta që ishte ulur në tavolinë për të pirë kafenë e pasdites para se të qëllohej në befasi.

Autori nuk ka thënë asnjë fjalë gjatë të shtënave dhe është larguar me vrap drejt stacionit të trenit, në lagjen “Saravë”.

Klientët e lokalit kanë mbetur pa lëvizur në momentin e hyrjes së tij dhe gjatë të shtënave janë shtrirë në tokë.

Ka qenë pronari i lokalit të kafenesë ai që e dërgoi në spital të plagosurin.

Më vonë, Kujtim Meta është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Grupi hetimor nuk ka ende një motiv të qartë për ngjarjen, ndaj po shqyrton çdo pistë.

Vetë i plagosuri nuk ka folur asgjë në lidhje me identitetin e autorit të ngjarjes, ndërsa janë marrë në pyetje mbi 20 persona, që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Kujtim Meta punonte me kamionçinë dhe nuk ka qenë asnjëherë i skeduar apo problematik për policinë.

Ai rezulton të jetë shok i ngushtë biznesmenit Besmir Hida në Lushnjë, i cili u ekzekutua në 1 tetor 2019 në rrethana të pazbardhura ende nga policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë