Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në një lokal në qytetin e Lezhës, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes së shtetasit Ridvan Koca.
Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Siç njofton policia, është shpallur në kërkim shtetasi P. K., 37 vjeç, banues në Lezhë. 37-vjeçari ishte i dënuar më parë për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, i cili ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ridvan Koca.
Ky i fundit ka qenë duke pirë kafe në një lokal kur një person është afruar dhe e ka qëlluar dy herë me pistoletë në këmbë dhe më pas është larguar. I plagosuri u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të Lezhës për ndihmë mjekësore, ndërsa bëhet e ditur se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Policia e Lezhës vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar, i cili është shpallur në kërkim.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 88 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




