Rend dhe Ligj

Plagosja me armë në Kukës, vetëdorëzohet autori. Dëshmia në polici: Vëllai i tij i drejtoi armën babait tim

Gazeta Si – Është dorëzuar në polici autori i plagosjes me armë në qytetin e Kukësit, të 29-vjeçarit Elvis Halili.

E teksa paraprakisht u raportua se një zyrtar i bashkisë qëlloi me armë zjarri ndaj kushëririt të kryebashkiakut Albert Halili, ngjarja ka marrë një tjetër rrjedhë.

Autori i plagosjes në fakt është 25 vjeçari Sebastian Muçmata, i vëllai i Zenelit, i cili po kërkohej nga policia për ngjarjen.

25 vjeçari është vetëdorëzuar në polici në mbrëmje dhe ka pasur me vete dhe armë e krimit, madje ai pranoi dhe autorësinë.

Sebastian Muçmata ka dhënë një version tjetër në momentin e marrjes në pyetje duke shprehur se Elvis Halili i ka kërcënuar babanë dhe për këtë arsye ai e ka ndjekur dhe ka qëlluar me pistoletë disa herë teksa doli nga makina, pranë shtëpisë së tij.

“Me faktin dhe akuzën u njoha dhe për sa më pyesni dhe më akuzoni kam për të shtuar se nuk kam shkuar për të vrarë njeri, por në momentin që kam shkuar, aty Qerimi (vëllai i të plagosurit) i ka drejtuar armën babait tim Izetit (Muçmata), në këto momente kam shkuar menjëherë te makina dhe kam marrë një armë tip pistoletë që e kisha në bagazh dhe kam qëlluar në drejtim të rrugës ku ishin dy vëllezërit Qerimi dhe Elvisi Halilaj, po të kisha qëllim për t’i vrarë unë e kisha atë mundësi, por nuk kam pasur qëllim vrasjen e asnjë personi. Unë, kur kam mësuar se pikërisht shtetasit Qerim e Elvis Halilaj kishin rrahur sot te agjencia e Bicajve vëllanë tim Zenelin, i cili ka ngelur pa ndjenja i shtrirë në tokë”, – dëshmoi në polici autori i dyshuar.

Policia e Kukësit, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë