Një nga autorët e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të aktivistit të PD, Bledar Okshtuni, në zyrën elektorale të Kavajës, ka qenë i shpallur në kërkim nga policia në vitin 2007.
Mësohet se njëri prej tyre, i identifikuar nga policia, si Ndriçim Jonuzi, ose Ndriçim Tahiri, është me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimit kundër jetës në një nga vendet e BE-së.
Në mars të vitit 2014, Policia e Kavajës, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë bërë të mundur kapjen e një të kërkuari për vrasje në Torino të Italisë, që rezulton të jetë Tahiri.
Forcat e policisë e kanë mbajtur nën vëzhgim 36-vjeçarin Tahiri, lindur e banues në Kavajë dhe e kanë ndjekur atë. Kur ka dalë nga xhamia ku po falej, agjentët e policisë i kanë hedhur prangat pa hasur në rezistencë.
“Ky shtetas ka qenë në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma më datë 29 maj 2007, me vendim të Gjykatës së Torinos në Itali, e cila e ka dënuar me 8 vjet burg për veprën penale të vrasjes me dashje“, ka njoftuar policia asokohe. Pasi ka kryer dënimin, ai është liruar nga burgu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




