Pas plagosjes së polices 24-vjeçare Ina Kuka, ministria e Brendshme i bën thirrje firmave që të ndërpresin importin e mallrave piroteknike.
Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko në një deklaratë për median bëri të ditur se “Ministria e Brendshme u kërkon të gjitha subjekteve tregtare që të ndërpresin importin, magazinimin dhe tregtimin e të gjitha lëndëve plasëse, mjeteve shpërthyese dhe piroteknike me efekt të tillë, të cilat i drejtohen tregut të gjerë. Nxisim të ndërpritet menjëherë tregtimi dhe të dorëzojnë produktin me këtë përmbajtje, duke lajmëruar sa më parë Komisariatin pranë. Kushdo që do të kapet me këtë produkt apo do të disponojë individualisht të tilla lëndë do të ndalohet e ndëshkohet”.
Kuko theksoi se në prag të festave të fundvitit, Ministria e Brendshme u bën thirrje prindërve, familjarëve dhe kujdestarëve që të mos inkurajojnë dhe të mos lejojnë përdorimin e mjeteve të sipërpërmendura nga fëmijët apo të rriturit. Gjithashtu, Ministria e Brendshme fton të gjithë qytetarët që të raportojnë në të gjitha rrugët e mundshme rastet e tregtimit apo përdorimit të lëndëve plasëse, atyre shpërthyese dhe mjeteve piroteknike.

Numri dy i ministrisë i kërkoi edhe partive politike që të marrin masa gjatë aktiviteteve të tyre, apo dhe në protesta që të marrin masa për të mbajtur kontroll dhe përgjegjësi të plotë gjatë organizimit të veprimtarive, me qëllim ndalimin kategorikisht të përdorimit të mjeteve të sipërpërmendura gjatë tyre.
Ndërsa ka paralajmëruar edhe masat që do të ndërmarrë qeveria, duke ndërhyrë në ligj apo dhe në VKM-të që rregullojnë këtë tregti.
“Në ditët në vijim, qeveria shqiptare do të rishikojë kriteret dhe standardet e licencimit të subjekteve që importojnë, magazinojnë apo tregtojnë lëndë të rrezikshme. Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera shtetërore do të intensifikojnë kontrollet dhe do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të eliminuar rrezikun për sigurinë publike që buron nga përdorimi i mjeteve të rrezikshme”, theksoi zv.ministrja Kuko.
Ndërkohë që gjatë konferencës për shtyp, Kuko paraqiti dhe disa pamje në një video ku tregoheshin dhe dëmet që shkaktohen nga shpërthimi i kapsollave, duke i kryer në objekteve të ndryshme si në një copë mishi, apo dhe madje duke e rritur fantazinë deri atje aq sa me një dorezë plastike të mbushur me kremviçe dhe të lidhur me kapsollën shpërthyese jepet ideja e pasojës që shkakton lënda plasëse, që sipas ministrisë së Brendshme janë përdorur në protestën e 22 nëntorit.
“Pas pasojave të rënda që solli përdorimi i mjeteve shpërthyese gjatë protestës së paligjshme, të zhvilluar përpara Kuvendit të Shqipërisë në datën 22 nëntor 2018, autoritetet përgjegjëse dhe ekspertë të Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë masat për të hetuar shkaqet e pasojave të rënda që solli përdorimi me papërgjegjshmëri i tyre. Nga eksperimentet e kryera me mjetet shpërthyese, të sekuestruara gjatë protestës, janë regjistruar rezultate shokuese. Provat eksperimentale kanë vërtetuar se mjetet e sekuestruara janë në gjendje të shkatërrojnë jo vetëm materiale apo inde të buta, por edhe materiale të forta si eshtrat apo edhe metalet”, theksoi Kuko.
Më poshtë video e publikuar nga ana e Ministrisë së Brendshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




