Rend dhe Ligj

Plagosja e dyfishtë në Malësi të Madhe, autori i ngjarjes dëshmon: Më dhunuan nipin, shkova të sqarohesha

Gazeta Si - Një sherr banal mes nipit të Lulzim Rakajt dhe dy personave që mbetën të plagosur nga ky i fundit, duket se ka qenë shkaku i të shtënave me armë zjarri në Malësi të Madhe.

Gjatë dëshmisë së tij në polici, Rakaj, i arrestuar pak pas ngjarjes, ka thënë se shkoi të takonte personat në fjalë, të cilët sipas tij i kanë dhunuar nipin, por ka dyshuar se njëri prej tyre ka pasur armë dhe i ka qëlluar.

“Pak ditë më parë, dy personat që kam plagosur kanë goditur nipin tim duke e rrahur. Nuk e di se çfarë konflikti kanë pasur, por di që më kanë goditur nipin, i cili më tregoi për ngjarjen e ndodhur. Unë shkova për të folur me ta dhe aty nisi debati. Dyshova se njëri prej tyre kishte armë zjarri, ndaj duke menduar se mund të më vrisnin, qëllova ndaj tyre”, ka deklaruar përpara grupit hetimor Rakaj.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë në rrethrrotullimin e Grikës në Malësinë e Madhe në hyrjen e një lokali. Lul Rakaj dyshohet se qëlloi 8 herë në drejtim të Besmir Çofit dhe Avenir Hasanajt, duke i lënë të plagosur.

Hasanaj mori një plumb në gjoks dhe ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Pas operacionit në spital kaloi rrezikun për jetën.

Pas ngjarjes në ndihmë të efektivëve të Shkodrës mbërritën forcat speciale RENEA, të cilat pas pak orësh arritën të prangosin Lul Rakaj.

Arrestimi i tij u bë në afërsi të balkonit panoramik të Tamarës në Malësinë e Madhe. 38-vjeçari tentoi që të çajë rrethimin e RENEA por forcat speciale arritën ta ndalojnë.

Në automjet Lul Rakaj kishte edhe bashkëshorten. Arma e zjarrit tip pistoletë nuk është gjetur ende dhe policia po punon për ta gjetur dhe sekuestruar si provë.

Lul Rakaj në vitin 2004 ka vrarë shtetasin Kolë Gjokaj duke u hakmarrë për babain e tij të vrarë nga vëllai i Kolë Gjokajt më përpara.

Pas afro 15 vitesh burg, Lul Rakaj u lirua duke u përfshirë në këtë tenativë vrasjeje me dy të plagosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë