Drejtësia

Burg për autorin e plagosjes së kryebashkiakut të Divjakës, babai: E hoqën nga puna pa të drejtë

Gazeta Si – Orges Xhelili, autori i plagosjes së kryebashkiakut të Divjakës Fredi Kokoneshi dhe shoferit të tij, është lënë në burg nga Gjykata e Lushnjës këtë të martë.

Ai u shoqërua nga forca të shumta policie në momentin e mbërritjes në gjykatë, ndërsa familjarët prisnin jashtë mes lotësh.

Njëri prej avokatëve të autorit, tha se policia bashkiake ka vepruar arbitrarisht dhe se Kryetari i Bashkisë vepronte si “bajraktar”.

Sipas tyre, klienti ka pasur biçak që nuk hyn tek veprat penale. Sipas dëshmive të dhëna pranë avokatëve, Xhelili pretendon se kanë qenë policët bashkiakë ata që e kanë goditur më parë, gjë që për këtë ka edhe shenja dhune.

Në gjaknxehtësi e sipër, Xhelili në kushtet e vetëmbrojtjes ka nxjerrë një thikë që sipas tyre nuk i kalon përmasat e armës së ndaluar dhe ka qëlluar mbi shoferin dhe kryetarin.

Avokatët kërkuan një masë 30-ditore derisa të njihen plotësisht me rrethanat e ngjarjes, duke iu vënë në dispozicion dhe pamjet filmike të vendit ku ndodhi debati, por gjykata refuzoi.

Babai i tij pranon se mes tyre ka pasur një debat lidhur me largimin nga puna. Në pritje të masës së sigurisë për të birin, Abaz Xhelili u shpreh se djali i tij u hoq pa të drejtë nga puna.

“Ishte i shqetësuar për largimin. Pa të drejtë e hoqën. Po lerë i thashë unë, pse s’gjen punë ti. Ai e kishte hequr pa të drejtë”. Ai ka shprehur habi për veprimin e të birit, për të cilin thotë se është njeri ekselent.

Orges Xhelili gjatë shoqërimit nga policia

“Ka pasur probleme me kryetarin e bashkisë se u prish miqësia, e hoqi nga puna, ka qenë emigrant dhe student i mirë, ka punuar inxhinier elektronik, shkonte në punë, ka mbaruar të lartën inxhinier elektronik, absolut, nuk e marr vesh se si ndodhi shqetësimi i djalit, – thotë ai për mediat. – Ne dy çuna kemi, të dy ekselentë. Ka pasur debate, ne e kemi dhe mik, por miqësia u prish. Unë kam qenë oficer, të prishet djali im me këto rrugaçë… Vetëm të dalë drejtësia se djali im nuk ka qenë problem”.

Para hetuesve, 46-vjeçari e ka pranuar plagosjen e dyfishtë të kreut të Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi dhe shoferit të tij Gazmend Bullari.

Në pyetje janë marrë edhe Kokoneshi e shoferi i tij, të cilët vijojnë të jenë në spital. Ata kanë treguar se ngjarja ka ndodhur shumë shpejt, në momentin që po shkonin drejt zyrës.

Sipas tyre, Xhelili i ka dalë para dhe ka nisur t’i ofendojë, teksa qendra e debatit ishte largimi i tij nga puna.

Kryebashkiaku ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa Gazmend Bullari ndodhet ende në Reanimacionin e Spitalit të Lushnjës, pasi plagosja që mori në bark, i preku disa organe.

Orges Xhelili më herët ka punuar si punonjës IT pranë bashkisë së Divjakës për një periudhë të shkurtër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë