Lajme

Plagoset rëndë një i burgosur shqiptar në Koridhalos

Pak javë pas vrasjes së një shqiptari në burgun grek të Koridhalosit, një tjetër episod i rëndë është shënuar në këtë institucion penitenciar, me protagonist një shqiptar që është plagosur rëndë.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së enjtes dhe sipas mediave greke, gjithçka ka ndodhur pas një sherri mes të burgosurve të tjerë që sulmuan barabarisht një shqiptar dhe një grek. Ata kanë përdorur kabuj elektrikë duke i përshtatur në formën e kamxhikut.

Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet që çuan në përplasjen e dy të burgosurve, por hetimet janë duke vijuar. Nuk bëhet publik as identiteti i shqiptarit, por raportohet se është një i ri 27-vjeçar, i dënuar për drogë.

Para dy javësh, mediat greke publikuan një video, ku u sulmua për vdekje me thika një i burgosur shqiptar.

Në materialin filmik, shihet dhuna midis të burgosurve në korridoret e burgut, e regjistruar më 14 janar të këtij viti, ku humbi jetën shqiptari Albert Bako, 37 vjeç.

Oficerët e burgut nuk mundën të bënin asgjë për të parandaluar goditjet. Në fund të videos së dytë, viktima është në një barelë dhe transferohet në spitalin e burgut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë