Ka ndodhur

Plagoset me 6 plumba në Bruksel një 43-vjeçar shqiptar, dyshohet se është Erion Hasanbelliu

Gazeta Si - Një 43-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet të jetë Erion Hasanbelliu, i përfshirë në disa ngjarje kriminale, është plagosur me armë zjarri në Belgjikë.

Mediat belge bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:20 në lagjen “Place De Brouckère” në qendër të Brukselit të shtunën në mbrëmje.

Autori ka hapur zjarr para hyrjes së një hoteli dhe 43-vjeçari ka marrë gjashtë të shtëna në trup, shpinë dhe këmbë.

Ngjarja ka ndodhur në një zonë këmbësorësh dhe pas krimit ai është futur në rrugicat që të nxirrnin jashtë qendrës së kryeqytetit belg. Policia lokale ka identifikuar autorin dhe e ka shpallur në kërkim.

Edhe pse prokurori publik i Brukselit nuk ka ende informacione për motivet e ngjarjes, dyshohet se bëhet fjalë për një larje hesapesh.

U qëllua me 6 plumba

Sipas dëshmitarëve, burri ka hapur zjarr ndaj viktimës së tij në mënyrë të papritur.

“Erdhën në masë shërbimet e urgjencës dhe nuk dukej mirë”, tha një nga dëshmitarët që ndodhej në rrugë në momentin e të shtënave.

“Ai u godit nga gjashtë plumba në shpinë dhe trup. Ai u operua menjëherë dhe është ende në rrezik për jetën” - tha Martin François, zëdhënës i Prokurorisë Publike të Brukselit.

Kamerat dhe dëshmitarët

Recepsioni i hotelit ka pamje nga vendi ku ndodhi incidenti. “Nuk e dimë kush është viktima, por kamera e sigurisë së hotelit filmoi gjithçka. Kolegu im e pa që ndodhi dhe është i tronditur”, thotë një punonjës i hotelit.

Sipas dy dëshmitarëve okularë që ndodheshin pak metra larg vendit në momentin e ngjarjes, do të ishte një konflikt.

"Ishin dy burra pak më të rritur (shqiptarë, me sa duket), njëri qëlloi papritmas tjetrin disa herë dhe më pas iku në një rrugë anësore në të majtë të hotelit, ai ishte tullac, i vogël dhe trupmadh”, kujton gruaja.

Lagje e pasigurt

Lagjja “De Brouckèreplein” nuk është e qetë nga ngjarje të tilla. Incidente të tilla si përleshjet, trazirat e bandave ose konfliktet e tjera ndodhin më shpesh, thotë një oficer sigurie, i cili ka vite që punon në qendrën e Brukselit.

“Nuk është zona më e sigurt këtu, sidomos natën. Kam parë shumë ngjarje që ndodhin këtu, por të shtënat në mes të ditës (nuk ishte errësuar akoma) janë të jashtëzakonshme”, thotë ai.

Kush dyshohet të jetë i plagosuri dhe akuzat

Erion Hasanbelliu dyshohet i përfshirë në Shqipëri në disa ngjarje kriminale. Ai ka qenë bashkëpunëtor në rolin e shoferit në vitin 2005, i përfshirë në atentatin ndaj biznesmenit Sokol Çapja në Elbasan.

Gjithashtu, dyshohet se Hasanbelliu ka qenë i përfshirë edhe në atentatin ndaj Bledar Muçës, i cili humbi jetën në Anversë të Belgjikës pak muaj më parë.

Hasanbelliu është emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi në vitin 2013, është ekstraduar nga Brukseli drejt Shqipërisë, pasi bashkë me të vëllanë akuzohen se, në vitin 2002, kanë vrarë në Anversë të Belgjikës, Julian Çelën dhe kanë plagosur rëndë, Kasandër Nogën për motive hakmarrjeje.

Kasandër Noga nga Patosi, në vitin 2000 i ka vrarë babain Erion Hasanbelliut pas një konflikti. Vëllai i tij, Geron Hasanbelliu është vënë në pranga 14 qershor 2013, në rrugën e Barrikadave në Tiranë.

Arrestimi dhe ekstradimi i tij në vitin 2013, është bërë pasi Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 7 shtator 2009, e ka dënuar me 25 vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të “vrasje me paramendim për gjakmarrje e kryer në bashkëpunim”, “vrasje me paramendim për gjakmarrje“ e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.

Masakra e Sanatoriumit para 22 vjetësh

Më 19 gusht të vitit 2000 Kasandër Noga hyri në sanatorium i shoqëruar edhe nga Julian Çela dhe pasi shkelmuan dhomën e reanimacionit ku ndodheshin të shtruar Aqif Hasanbelliu (babai i vellezërve Hasanbelliu) dhe Dritan Hajdini, shoku i Geronit, u ka hequr serumin nga krahu dhe me breshëri automatiku i ka lënë të vdekur në vend. Vrasja ndodhi për motive hakmarrjeje, pasi këta persona i kishin vrarë kohë më parë vëllain, Kasander Nogës.

Hakmarrja në Belgjikë dhe arratisja në Itali

Vëllezërit Hasanbelliu u vunë në ndjekje të djaloshit nga Patosi i Fierit dhe dy vjet më vonë, më 17 mars të vitit 2002, Geroni së bashku me Erionin, tentojnë të hakmerren.

Në Anversë të Belgjikës, ata ekzekutojnë Julian Celën dhe plagosin rëndë Kasandër Nogën në një lokal të hapur në qytetin e dytë me të madh belg pas Brukselit.

Pas ngjarjes në Belgjikë, Geroni arriti të arratisej dhe u strehua në Itali, ku u arrestua në vitin 2009 dhe u ekstradua në Shqipëri.

Kurse Kasandër Noga, autori i masakrës së Sanatoriumit, u arrestua nga policia belge gjatë vitit 2003 dhe në 2005-ën u ekstradua në Shqipëri, pasi mbi të rëndonte një dënim me burgim të përjetshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë