Ne rrjet

Pista shqiptare për sulmin ndaj Ranucci-t, mediat italiane: Hetime për një narkotrafikant që jeton në SHBA

Gazeta Si – Pista “shqiptare” për atentatin me tritol para shtëpisë së gazetarit investigativ italian, Sigfrido Ranucci, sa vjen e po bëhet më intriguese.

Mediat italiane, sipas hetimeve të policisë dhe prokurorisë, hedhin dyshime se pas sulmit ndaj gazetait të emisionit “Report” në RAI 3, qëndrojnë grupet kriminale shqiptare.

Sipas gazetës “La Repubblica”, njëri prej porositësve të dyshuar për atentatin ndaj gazetarit italian, është Artur Shehu, një shqiptar që drejton trafikun ndërkombëtar të drogës dhe ka lidhje me organizata mafioze në Itali.

Në artikullin që Ranucci kishte bërë për qendrën e pritjes së emigrantëve në Gjadër në kuadër të marrëveshjes Rama-Meloni, emri i Artur Shehut përmendej disa herë.

Ai cilësohej si trafikant i rëndësishëm droge në lidhje me organizata mafioze si “Cosa Nostra” me bazë në Sicili.

Shehu, një biznesmen 58-vjeçar, aktualisht ai jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej disa vitesh, në Florida, ku bën një jetë të rezervuar në Majemi.

Sipas burimeve hetimore, edhe Drejtoria Antimafia Italiane (DIA) ka marrë informacion nga Vlora për mundësinë e përfshirjes së Shehut në shpërthimin e ndodhur më 16 tetor, në banesën e drejtuesit të emisionit “Report”.

Bëhet fjalë, për momentin, për një hipotezë, që kërkon ende verifikime dhe prova përfundimtare, por që po ndiqet me kujdes nga hetuesit dhe Antimafia Italiane e Romës.

“Motivi i mundshëm mendohet të lidhet me një emision të ‘Report’ të datës 21 prill 2024, me titullin ‘(Hot) Spot Albanese’, kushtuar projektit të qendrave për migrantë që Italia ka ndërtuar në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër, në kuadër të marrëveshjes mes qeverive të Romës dhe Tiranës. Në programin e RAI 3, 58-vjeçari shqiptar përshkruhet si një trafikant i rëndësishëm droge, i cituar më parë në hetime ndërkombëtare për lidhje të mundshme me Cosa Nostra dhe Sacra Corona Unita”, – shkruan “La Reoybblica”.

Sipas të përditshmes italiane, mmri i Shehut nuk ishte i panjohur as për shtypin ndërkombëtar. Në mars 2021, gazeta amerikane “Miami Herald” i kishte kushtuar atij një hetim të thelluar me titullin: “Nga një vilë në Miami Beach, një burrë me lidhje të dyshuara me mafien, ndërton një perandori tregtare në Shqipëri”.

Artikulli përshkruan me detaje jetën e tij në SHBA, duke treguar për një vilë në Alton Road, “pak hapa larg gjirit të Biscayne”, e rrethuar me palma mbretërore, me një kopsht të rregullt dhe dy makina luksoze të parkuara në hyrje.

“Sot, prokuroria po verifikon edhe këtë profil ndërkombëtar, duke kërkuar përputhje mes informacionit të mbledhur në Shqipëri dhe lëvizjeve të 58-vjeçarit. Megjithatë, pistat mbi urdhëruesit e atentatit mbeten të shumta, duke pasur parasysh numrin e madh të hetimeve që emisioni ‘Report’ ka zhvilluar ndër vite, shpesh duke hyrë në zona të ndjeshme dhe duke prekur interesa të mëdha ekonomike e kriminale”, – thekson “La Repubblica”.

Në këtë fazë, vëmendja e hetuesve duket se është përqendruar kryesisht tek disa sektorë të mafies shqiptare, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbulojnë kush ka vendosur fizikisht eksplozivin dhe kush, sipas zhvillimeve të fundit, ka tentuar verën e kaluar të depërtojë në shtëpinë e dytë të gazetarit, por pa ia dalë.

Një ditë më parë, gazeta prestigioze “Corriere della Sera”, e lidhi sulmin ndaj gazetarit me arrestimin në Abu Dhabi të narkotrafikantit shqiptar Altin Sinomati.

Një nga pistat e hetimit për atentatin dyshohet se lidhej me krimin e organizuar shqiptar në Romë për kontrollin e trafikut të drogës, që ka qenë në qendër të hetimeve të emisionit “Report”.

Sipas hetimeve në Itali, Sinomati dyshohet si porositësi i vrasjes së shqiptarit Selavdi Shehaj, i njohur me nofkën “Passerotto”, i vrarë më 20 shtator 2020 në plazhin e mbushur me njerëz të Torvaianicës në Romë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë