Rend dhe Ligj

Piramidat online, më shumë se 900 persona pre e mashtrimit! Në Divjakë shitën mjetet bujqësore

Gazeta Si – Më shumë se 900 persona nga Lushnja, Fieri e Divjaka kanë rënë pre e mashtrimit nga skemat piramidale online, ku një ditë më parë u arrestuan gjatë operacionit policor “Xuex” 6 persona dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim.

Në pritje të seancës për vlerësimin e arrestimit dhe caktimin e masës së sigurisë tyre sot, sipas burimeve mësohet se “viktimat” nga Divjaka janë kryesisht bujq, të cilët kanë shitur edhe mjete bujqësore për të investuar në këtë skemë.

Duke iu referuar pragut minimal prej 1.000 dollarësh për investim në platformë, vlera e parave që u është marrë qytetarëve, dyshohet se shkon në qindra milionë dollarë.

Pjesa dërmuese e personave që “investuan” në këtë skemë, nuk kanë mundur të marrin mbrapsht asnjë qindarkë.

Ndërsa ata që quhen agjentë kryesorë dhe që ishin përfshirë të parët në skemë, mendohet të kenë tërhequr fitime të majme.

Qytetarëve iu premtoheshin fitime të larta përmes investimeve në kriptomonedha, ndërsa udhëzimet jepeshin në grupe të mbyllura në aplikacionin Telegram. Për momentin, platforma XUEX është bllokuar dhe paratë konsiderohen të humbura.

Këtë të hënë në Gjykatën e Fierit, pritet të zhvillohet seanca vlerësuese dhe caktimi i masës së sigurisë për 6 të arrestuarit e një dite më parë në kuadër të operacionit “Xuex”.

Ndërkohë në kërkim është shpallur çifti i bashkëshortëve, Alma Shebeku dhe Ereledio Shebeku, pasi dyshohet se kishin rolin kryesor në skemat piramidale.

Në këtë operacion u sekuestruan afërsisht 90 mijë euro, laptopë, automjete dhe sende të tjera që do të shërbejnë si prova për akuzat, “Skemat Mashtruese Piramidale” dhe “Mashtrim Kompiuterik”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp ditën e diel, 14 shtator, zyrtarët e policisë dhe Prokurorisë së Fierit, bënë të ditur detajet e operacionit, i cili nisi si përgjigje ndaj shqetësimeve të qytetarëve për mashtrime online me premtime për fitime të shpejta dhe të sigurta investimi, që në të vërtetë ishin skema piramidale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë