Gazeta Si – Ka disa mënyra për të qenë… "on fire". Pioli është ngritur në qiell nga tifozët e Milanit, kur fitoi titullin dhe në momente të tjera, kurse tani, duke parë situatën, Pioli duket më shumë në ‘flakë’.
Pozicioni i trajnerit të kuqezinjve lëkundet në mënyrë të rrezikshme prej kohësh. Qëndrimi i tij për sezonin e ardhshëm është në pikëpyetje dhe lidhet ngushtë me dy objektiva të klubit: fitimi i Ligës së Europës dhe vendi i dytë në kampionat.
Nëse Milani e përfundon kampionatin para Juventusit dhe jo shumë larg Interit, do të ishte më pak i hidhur ky sezon në shtëpinë e Milanit. Por shumë e rëndësishme është, nëse skuadra e Piolit fiton Ligën e Europës ose jo.
Nëse Milani ngre lart një trofe ndërkombëtar, që i mungon që prej 2007-ës, do të quhej sezon pozitiv, sepse do të rriste vlerat e brandit kuqezi. Fitore, imazh dhe vlera, kjo është ajo që pretendon Kardinale. Pastaj janë edhe lojtarët që duhet të rriten. Në fund vetëm një gjë ka rëndësi: të fitohet diçka për të zbutur daljen në fazën e grupeve të Championsit.
Nuk ka dyshim që mbi Piolin peshon edhe sezoni perfekt i kushërinjve të Interit. Nëse analizohet cikli 5-vjeçar i trajnerit kuqezi, ai mbetet gjithsesi pozitiv. Por tashmë ka disa kushte për të vazhduar më tej.
Pioli, që gjithmonë ka qenë një zotëri këto vite me Milanin, ndoshta meriton më shumë konsideratë, por futbolli të konsumon me shpejtësi, është diçka që dihet. Tani duhet të fitojë një trofe për ta kaluar situatën në anën e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.